Të gjithë kapitujt

Ligji i Përtërirë · Kapitulli 28

Bekimet e premtuara, Mallkimet, etj.

69 vargje

Bekimet e premtuara

1»Nëse do ta dëgjosh vërtet zërin e Zotit, Hyjit tënd, për t’i mbajtur e për t’i zbatuar të gjitha urdhërimet e tija, që unë po t’i urdhëroj sot, Zoti, Hyji yt, do të të lartësojë mbi të gjithë popujt që jetojnë mbi tokë,

2mbi ty do të bien të gjitha këto bekime dhe do të të mbulojnë, në qoftë se vërtet ke për ta dëgjuar zërin e Zotit, Hyjit tënd.

3I bekuar do të jesh në qytet e i bekuar në fushë.

4I bekuar do të jetë fryti i kraharorit tënd, fryti i tokës sate, fryti i bagëtive të tua, pjella e gjedhëve të tu dhe shtimi i deleve të tua.

5I bekuar çarraniku yt dhe magjja jote!

6I bekuar do të jesh kur të dalësh e kur të kthehesh!

7Zoti vetë do t’i shtrojë të mundur para teje armiqtë e tu që do të çohen kundër teje: do të dalin kundër teje nga një rrugë e vetme e do të ikin para teje nëpër shtatë rrugë të ndryshme.

8Zoti do të çojë bekimin mbi drithnikët e tu e në të gjitha veprat e duarve të tua: do të të bekojë në tokën që Zoti, Hyji yt, do të ta japë.

9Zoti do të të bëjë popull të shenjtë për vete, po ashtu sikurse t’u përbetua, në qoftë se do t’i mbash urdhërimet e Zotit, Hyjit tënd, dhe do të ecësh udhëve të tija.

10Të gjithë popujt do të shohin se mbi ty ka qenë thirrur emri i Zotit e do të kenë frikë prej teje.

11Zoti do të të mbushë me një mijë të mirat, me frytin e kraharorit tënd, me frytin e bagëtive të tua, me frytin e tokës sate për të cilën Zoti iu përbetua etërve të tu se do të ta japë.

12Zoti do të hapë për ty visarin e begatshëm të vetin - qiellin - për t’i dhënë shi në kohën e përshtatshme tokës sate, për t’i bekuar të gjitha veprat e duarve të tua. Shumë popujve do t’u huajosh, kurse ti s’do të kesh nevojë huajimi.

13Krye do të të bëjë Zoti e jo bisht, gjithmonë do të jesh lart e jo poshtë, në qoftë se do t’i dëgjosh urdhërimet e Zotit, Hyjit tënd, që unë sot po t’i parashtroj t’i kryesh e t’i zbatosh,

14nëse nuk do t’u shmangesh fjalëve që unë po ju urdhëroj sot as djathtas, as majtas, nëse nuk do të shkosh pas hyjnive të tjera e nuk do t’i adhurosh.«

Mallkimet

15»Por në qoftë se nuk do ta dëgjosh zërin e Zotit, Hyjit tënd, duke mos i mbajtur e zbatuar të gjitha urdhërimet e tija e ligjet që unë sot po t’i urdhëroj, mbi ty do të bien të gjitha këto mallkime e do të të mbulojnë:

16I mallkuar do të jesh në qytet e i mallkuar në fushë.

17I mallkuar do të jetë çaraniku yt dhe magjja jote.

18I mallkuar do të jetë fryti i kraharorit tënd, fryti i tokës sate, pjella e gjedhëve të tu dhe shtimi i deleve të tua.

19I mallkuar do të jesh kur të dalësh e kur të kthehesh.

20Zoti do të çojë mbi ty mallkimin, shqetësimin e të mbrapshtën në të gjitha punët e tua që të prekësh me dorë, derisa të të zhbijë e të të zhdukë shpejtë për shkak të veprave të tua shumë të këqija me të cilat më le mua.

21Zoti do të ngjeshë murtajën derisa ta tresë farën prej tokës, në të cilën do të hysh për ta trashëguar.

22E Zoti do të të godasë me shfarosje, me ethe, me djegie, me zjarmi, me thatësi, me kllogjën, me ndryshk e do të të përndjekë derisa të të tresë fara.

23Qielli që është mbi krye tënd do të bëhet i bronztë, kurse toka që shkel me këmbë, e hekurt.

24Zoti do ta kthejë shiun e tokës sate në pluhur, hi do të bjerë prej qiellit mbi krye tënd derisa të zhdukesh prej faqes së dheut.

25Të dërrmuar, Zoti do të të dorëzojë para armiqve të tu: nëpër një rrugë do të dalësh kundër tyre dhe nëpër shtatë do të ikësh. Dordolec do të bëhesh për mbarë mbretëritë e botës.

26Kufoma jote do të jetë pre e shpendëve të ajrit dhe e egërsirave të tokës: s’do të ketë as kush t’i dëbojë!

27Do të të godasë Zoti me çiban të Egjiptit, me brith, me strokë e me urth, prej të cilëve s’do të mund të shërohesh.

28Marrëzi, verbësi e çmendje mbi ty do të çojë Zoti:

29në pikë të ditës do të endesh verbërisht në errësirë siç endet i verbëti, e nuk do ta gjesh rrugën tënde. Do të jesh gjithmonë i ndrydhur dhe i shfrytëzuar, dhe s’do ta kesh atë që të të shpëtojë.

30Tash martohesh, por tjetërkush do të flejë me të! Tash e ndërton shtëpinë, e tjetërkush do të banojë në të! Tash mbjell vreshtin, por s’do ta vjelësh ti!

31Ndër sy të tu do të pritet kau yt, por ti s’do të hash prej tij! Ndër sy të tu do të rrëmbehet gomari yt, e nuk do të të kthehet më. Delet e tua do t’u jepen armiqve të tu, e nuk do të gjendet kush të të ndihmojë.

32Bijtë e tu e bijat e tua do t’i jepen një populli tjetër. Sytë e tu do shikojnë pas tyre e në lot do të shkrihen gjithë ditën e lume, por asgjë s’do të mund të bëjë dora jote.

33Një popull që ti s’e njeh, do t’i hajë frytet e tokës sate dhe djersën tënde dhe përherë do të jesh i ndrydhur i dërrmuar si një ditë për ditë.

34Mendtë do të të dalin prej mjerimit që do të shohin sytë e tu.

35Me çibanë të tmerrshëm në gjunjë e në pulpa Zoti do të të godasë, prej shputës së këmbës e në majë të kresë dhe nuk do të mund të shërohesh.

36Ty dhe mbretin që do ta vësh të sundojë mbi ty, Zoti do t’ju tresë në një popull që s’e njohe ti as të parët e tu dhe atje do t’u shërbesh hyjnive të huaja - drurit e gurit.

37Do të bëhesh surrat, lojë e përrallë për të gjithë popujt ndër të cilët të treti Zoti.

38Shumë farë do të mbjellësh e pak do të korrësh, sepse karkaleci do t’i përpijë të gjitha.

39Vreshta do të mbjellësh e do t’i punosh, por verë s’do të pish dhe asgjë s’do të vjelësh, sepse do t’i hajë krimbi.

40Ullinj do të kesh gjithkund në tokën tënde, por me vaj s’do të lyhesh, sepse do t’i derdhin kokrrat të papjekura.

41Bij e bija do të të lindin, por ti s’do t’i gëzosh, sepse do të merren skllevër.

42Të gjitha pemët e tua dhe frytet e tokës do t’i hajë karkaleci.

43Një ardhacak që të ndodhet në mesin tënd, do të dalë mbi ty e do të lartësohet, kurse ti do të biesh poshtë e më poshtë.

44Ai do të të huajojë ty e ti s’do t’i huajosh atij. Ai do të jetë krye e ti do të jesh bisht.

45Të gjitha këto mallkime do të bien mbi ty e duke të përndjekur, do të të pushtojnë derisa që të asgjësohesh, sepse nuk e dëgjove zërin e Zotit, Hyjit tënd, dhe nuk i mbajte urdhërimet e ligjet e tija, që t’i ka dhënë.

46Ato do të shërbejnë si shenjë emnese mbi ty e mbi pasardhësit e tu për jetë të jetëve.«

Parakallëzim luftërash dhe mërgimi

47»Meqë nuk i shërbeve Zotit, Hyjit tënd, me gëzim e me hare të zemrës për shkak të brusnisë,

48do t’i shërbesh armikut tënd që do të ta çojë Zoti, në uri, në etje, në zhveshje dhe në skam të plotë. Mbi zverkun tënd zgjedhë hekuri do të të mbërthejë derisa të ta marrë shpirtin.

49Mbi ty Zoti do të sjellë një popull prej së largu, prej skajit të tokës, që do të fluturojë porsi shqiponja, një popull, të cilit nuk do të mund t’ia marrësh vesh gjuhën;

50një popull të pashpirt që s’nderon plak e s’mëshiron të ri.

51Ai do ta hajë frytin e bagëtive të tua e frytin e tokës sate derisa të të asgjësojë. Nuk do të të lërë as drithë, as verë, as vaj, as këmbë viçi as shtërri derisa të mos bëjë që të zhdukesh.

52Ai do të të rrethojë në të gjitha qytetet e tua derisa të shpartallohen muret e tua të forta e të larta, në të cilat e kishe vënë shpresën, gjithkund në tokën tënde. Do të mbetesh i ngujuar brenda dyerve të tua në mbarë tokën tënde, të cilën do të ta japë Zoti, Hyji yt.

53E gjatë rrethimit, prej gjendjes së mjerueshme në të cilën do të të shtrëngojë armiku yt, do të hash frytin e kraharorit tënd, mishin e bijve e të bijave të tua, që do të t’i ketë dhënë Zoti, Hyji yt.

54Njeriu, edhe më i ndjeshmi dhe më i buti ndër ju, do ta shikojë me sy të keq vëllanë e vet, gruan e vet dhe fëmijët e vet që do t’i kenë mbetur ende gjallë,

55që të mos i japë asnjërit prej tyre nga mishi i bijve të vet që do ta hajë, sepse s’i ka mbetur asgjë tjetër gjatë rrethimit në mjerim që do të shtrëngojnë armiqtë e tu brenda të gjitha qyteteve të tua.

56Gruaja, edhe më e ndjeshmja dhe më e buta ndër ju, qoftë dhe aq e ndjeshme dhe aq e butë saqë të mos i bëhej as ta vinte shputën e këmbës mbi tokë, do të shikojë deri edhe burrin e vet që e ka shtrënguar për zemër, të birin e të bijën

57edhe do të fshihet për ta ngrënë tinëz tyre deri edhe shtratin që del prej kraharorit të saj edhe fëmijët që posa lindin për të mos u bërë pjesë atyre, sepse i mungon gjithçka për shkak të rrethimit në mjerim, që do të ngrehin armiqtë e tu brenda qyteteve të tua.

58Nëse nuk do t’i mbash dhe nuk do t’i zbatosh të gjitha fjalët e këtij Ligji, që janë të shkruara në këtë libër, e nëse nuk do ta druash këtë Emër të lavdishëm e të tmerrshëm - Zotin, Hyjin tënd,

59atëherë Zoti do t’i shtojë përtej mase plagët e tua e plagët e pasardhësve të tu, plagë të mëdha e të pashërueshme, sëmundjet më të rëndat e të përhershme.

60Mbi ty do t’i çojë të gjitha të këqijat e Egjiptit, që i ke drashtur dhe ty do të të mbulojnë.

61Për më tepër edhe të gjitha sëmundjet e plagët e tjera, që nuk janë të shkruara në librin e këtij Ligji, mbi ty do t’i çojë Zoti derisa të të ketë shqimur fare.

62Prej jush s’do të mbesë veçse një numër i vogël njerëzish, prej jush që ishit shumë porsi yjet e qiellit, sepse nuk e dëgjove zërin e Zotit, Hyjit tënd.

63Sikurse kënaqej Zoti më parë duke ju bërë mirë e duke ju shtuar, kështu do të gëzohet mbi ju duke ju humbur e duke ju shkatërruar, që të zhdukeni prej tokës, në të cilën do të hyni për ta trashëguar.

64Do të të tresë Zoti nëpër popuj prej një skaji në skajin tjetër të tokës dhe atje do t’u shërbesh zotave të huaj që s’i njohe ti as etërit e tu - idhujve të drunjtë e të gurtë.

65Madje midis këtyre popujve një herë s’do kesh pushim e nuk do të kesh vend për të pushuar shputën e këmbës sate. Atje Zoti do të të japë një zemër frikacake, sy të humbur, shpirt të dërrmuar.

66Jeta jote do të jetë gjithmonë në rrezik: do të trembesh natë e ditë e s’do të jesh i sigurt për jetën tënde.

67Në mëngjes do të thuash: ‘A do ta pres mbrëmjen?’ E në mbrëmje: ‘A do të ndjeh në mëngjes?’ për shkak të frikës së madhe të zemrës sate e për shkak të sendeve të tmerrshme që do t’i shikosh me sytë e tu.

68Në Egjipt në barka do të të kthejë Zoti, udhës për të cilën të kam pasë thënë: ‘Kurrë s’do ta shikosh më!’ Atje do t’u shiteni armiqve tuaj për skllevër e skllave, por s’do t’ju blejë kush!«

Fjalimi i tretë

69Këto janë fjalët e besëlidhjes që Zoti i urdhëroi Moisiut ta lidhë me bijtë e Izraelit në tokën Moab përveç asaj besëlidhjeje që lidhi me ta në Horeb.