Të gjithë kapitujt

Ligji i Përtërirë · Kapitulli 33

Bekimet e Moisiut

29 vargje

Bekimet e Moisiut

1Dhe ja bekimi, me të cilin Moisiu, njeriu i Hyjit, i bekoi bijtë e Izraelit para se vdiq.

2Ai tha: »Erdhi Zoti prej Sinait, iu duk atyre prej Seirit, u dëftua prej malit Faran e mbërriti në Meribatkades prej jugut të tij në Azedot.

3Me të vërtetë i do Ai popujt; të gjithë shenjtërit janë në dorë të tij e kush të shkojë te këmbët e tija e mëson fjalën e tij.

4Moisiu neve një Ligj na dha, pronë breznive t’tubimit t’Jakobit.

5U bë mbret tek i dashuri i vet pasi u mblodhën prijësit e popullit njëkohësisht me fiset e Izraelit.

6Le të jetojë Rubeni dhe mos u shoftë, porse tepër mos u shtoftë!«

7Ky është bekimi i Judës: »Dëgjoji, o Zot, Judës zërin e bashkoje me popullin e vet. Duart e tija le të luftojnë për të, mbroje, o Zot, prej armiqve të tij!«

8E për Levin kështu foli: »Jepi Levit Tumim-in e Urim-in tënd, i përkasin njeriut të shuguruar. Ti në Masë e ke sprovuar me të u grinde te ujët e Meribës.

9Ky babës e nënës i tha: »Nuk ju njoh«; vëllezërit s’i njohu, s’deshi për të bijtë të dijë! Këta e ruajtën fjalën tënde, këta e mbajtën besëlidhjen tënde.

10Jakobit do t’ia mësojnë urdhërimet e tua, Ligjin tënd Izraelit. Për hundë të tua kem do të djegin, fli shkrumbimi mbi lterin tënd.

11Bekoje, o Zot, forcën e tij, pranoji veprat e duarve të tija. Këputi në kryq armiqtë e tij, urrejtësit e tij kryet të mos e ngrenë!«

12Për Beniaminin tha: »I dashur pa masë prej Zotit, Beniamin, bano i qetë pranë Tij! Zoti e mbron gjithmonë e do të banojë nën krahët e tij.«

13Edhe për Jozefin tha: »Bekuar qoftë prej Zotit toka e tij: me dhurata që sjell vesa e qiellit, me dhurata që sjell uji i nëntokës;

14me fryte që dielli sjell me më të mirat fryte që sjell ndërrimi i hënës,

15me më të mirat fryte të bjeshkëve të lashta, me dhurata të brigjeve të amshueshme;

16me ç’është më e mira nga toka e nga të gjitha që ajo përmban. Bekimi i Atij që u duk në kaçubë rëntë mbi krye të Jozefit, mbi ballin e të shuguruarit ndër vëllezër.

17Si e të parëlindurit të mëzatit, hijeshia e tij; bri bualli brirët e tij: me ta i ther e i hedh në erë popujt deri në skajet e dheut! Të tillë janë shumica e Efraimit, të tilla janë mijërat e Manaseut!«

18Për Zabulonin tha: »Fatbardhë qofsh, Zabulon, në çetime, e ti, o Isahar, brenda tendave të tua!

19Do t’i ftojnë popujt në bjeshkë ku do të kushtojnë fli të ligjshme; sepse thithin pasuritë e detit dhe visaret nën rërë të fshehura.«

20Për Gadin tha: »Lum ai që Gadin e zgjeron! Pushon madhështor porsi luani që ia ka shpulpuar krahun e thërrmuar kryet presë.

21Për vete i zgjodhi frytet e para: pjesë ajo që prijësit i takon. Në krye të popullit ia doli të arrijë, e çoi në vend drejtësinë e Zotit, të tijat synime me Izraelin.«

22Edhe për Danin tha: »Zog luani është Dani që kërcen majë më majë prej Basanit!«

23Për Neftaliun tha: »Neftaliu i ngopur me hire të Zotit, plot do të jetë me bekimet e tija: det e jug janë prona e tij!«

24Po edhe për Aserin tha: »Qoftë bekuar ndër bij Aseri! Më i pëlqyeshmi ndër vëllezërit e vet! Këmba e tij rëntë në vaj!

25Hekuri e bronzi shulat e dyerve të tua, sa të jesh gjallë mos të mungoftë siguria!«

26»Paj nuk ka si Hyji Jezurun: kalëron qiellin për të të ardhur në ndihmë, i madhërishëm përmbi re!

27Strehim është Hyji i amshueshëm ndihmë këtu poshtë krah i përhershëm. Para teje e dëbon armikun e urdhëron: ‘Shpartalloje!’

28Në paqe jeton Izraeli, burimi i Jakobit në vetmi në tokë drithi e vere ku prej qielli rigon vesa.

29I lumi ti, o Izrael! Ku mund të gjendet një popull tjetër që e shpëton Zoti porsi ty?! Ai është shqyti që të mbron, palla që të sjell lavdi. Armiqtë me të mirë do të të marrin, porse ti do t’i zotërosh.«