Të gjithë kapitujt

Luka · Kapitulli 1

Kushtimi Teofilit, Paralajmërimi i lindjes së Gjon Pagëzuesit, etj.

80 vargje

Kushtimi Teofilit

1Pasi shumë vetë ndërmorën të rendisin tregimin mbi ngjarjet që ndodhën në mesin tonë -

2ashtu siç na i lanë ata që i panë me sy të vet që në fillim dhe u bënë mbarështues të Fjalës -

3e, mbasi i shqyrtova hollësisht të gjitha qysh prej fillimit, vendosa t’i shkruaj për ty, i përndritshmi Teofil, të gjitha me radhë,

4që të jesh i sigurt për palëkundshmërinë e mësimeve që more.

Paralajmërimi i lindjes së Gjon Pagëzuesit

5Në kohën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emër Zakari, i rendit të Abisë. Gruaja e tij ishte prej bijave të Aronit dhe emrin e kishte Elizabetë.

6Të dy ishin të drejtë para Hyjit, sepse u përmbaheshin pikë për pikë të gjitha urdhërimeve e porosive të Zotit.

7Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte beronjë e të dy ishin të shtyrë në moshë.

8Dhe një herë, kur Zakaria, sipas rendit të klasës së vet, po kryente shërbesën priftërore para Hyjit

9pas rregullores së priftërisë, i ra shorti të hyjë në Shenjtërore të Zotit për të kushtuar kemin.

10Në kohën e flisë së kemimit, mbarë populli rrinte përjashta e lutej.

11Atëherë iu duk engjëlli i Zotit: qëndronte në të djathtën e lterit të kemimit.

12Zakaria, kur e pa, u tremb dhe e kapi frika.

13Por engjëlli i tha: »Mos u tremb, Zakari! Urata jote u pranua dhe Elizabeta, gruaja jote, do të lindë një djalë. Ti ngjitja emrin Gjon.

14Do të gëzohesh e do të galdosh, po edhe shumë të tjerë do t’i gëzohen lindjes së tij.

15Sepse do të jetë i madh para Zotit. Nuk do të pijë verë as pije dehëse dhe do të jetë plot me Shpirtin Shenjt qysh në kraharorin e s’ëmës.

16Shumë bij të Izraelit do t’i kthejë kah Zoti, Hyji i tyre.

17Do të shkojë para tij me frymë e me fuqi të Elisë, ‘për të kthyer zemrat e etërve kah fëmijët’, e të padëgjueshmit në urtinë e të drejtëve që t’i bëjë gati Zotit një popull të gatshëm.«

18Atëherë Zakaria i tha engjëllit: »Si mund të jem i sigurt për këtë gjë? Unë jam i vjetër e gruan e kam në moshë të shkuar.«

19Engjëlli i përgjigji: »Unë jam Gabrieli që rri para Hyjit. Ai më dërgoi të flas me ty e ta sjell këtë lajm të gëzueshëm.

20Dhe, ja, ti do të mbetësh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri atë ditë kur këto të plotësohen, sepse nuk u besove fjalëve të mia, të cilat patjetër do të plotësohen kur të vijë koha.«

21Ndërkaq populli e priste Zakarinë dhe habitej pse vonoi aq shumë në Shenjtërore.

22Kur doli, nuk mundi të flasë. Njerëzit e morën me mend se do të ketë pasur në Shenjtërore ndonjë vegim. Ai mundohej t’u tregojë me shenja, e mbeti i pagojë.

23Kur u kryen ditët e shërbesës së tij, u kthye në shtëpinë e vet.

24Pas kësaj kohe Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë. Pesë muaj u fsheh e thoshte:

25»Ja, çka bëri Zoti për mua: në këto ditë u denjua të ma heqë turpin që kisha para njerëzve!«

Lajmërimi i lindjes së Jezusit

26Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret,

27te një virgjër, që ishte e fejuar për një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.

28Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha: »Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!«

29Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.

30Por engjëlli i tha: »Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!

31Ja, do të mbetësh shtatzënë e do të qitësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus.

32Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij.

33Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.«

34Atëherë Maria i tha engjëllit: »Si do të mund të ngjajë kjo, ndërsa unë jam virgjër?«

35Engjëlli i përgjigji: »Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë - Biri i Hyjit.

36Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj.

37Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!«

38Atëherë Maria tha: »Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!« Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.

Maria i shkon në pasi Elizabetës

39Ndër ato ditë Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës.

40Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën.

41Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt

42dhe brohoriti me zë të lartë: »Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd!

43Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?!

44Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim.

45E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!«

Himni i Marisë

46Atëherë Maria tha: »Shpirti im e madhëron Zotin,

47shpirti im me hare i brohoriti Hyjit, Shëlbuesit tim,

48sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

49sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm - i shenjtë është Emri i tij!

50Mëshira e tij brezni më brezni për ata që e nderojnë.

51E tregoi fuqinë e krahut të vet: i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

52i rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvujtët.

53Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë e të pasurit i nisi duarthatë.

54I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet, duke e sjellë në mend mëshirën

55- si ua pati premtuar etërve tanë - në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.«

56Maria ndenj me Elizabetën rreth tre muaj e atëherë u kthye në shtëpinë e vet.

Lindja e Gjon Pagëzuesit

57Elizabetës i erdhi koha të lindë. Dhe ajo qiti në dritë një djalë.

58Kur fqinjët e farefisi i saj dëgjuan se Zoti e tregoi mirësinë e vet të madhe ndaj saj, u gëzuan me të.

59Të tetën ditë erdhën për të rrethprerë djalin. Donin ta quanin me emrin e t’et - Zakari,

60por e ëma tha: »Assesi, por le të quhet Gjon!«

61Ata i përgjigjën: »Askush në fisin tënd nuk quhet me këtë emër.«

62Atëherë me shenja e pyetën të atin ç’emër donte t’i vinte.

63Ai kërkoi rrasëzën e shkrimit dhe shkroi: »Gjon është emri i tij!« Të gjithë u çuditën.

64Po në atë moment i erdhi goja dhe iu zhdrivillua gjuha: fliste dhe lëvdonte Hyjin.

65Të gjithë fqinjët e tyre i kapi frikë e madhe. Edhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këto ngjarje.

66Kushdo që dëgjonte, thoshte në zemrën e vet: »Çka thua do të bëhet kjo foshnje?« Vërtetë, dora e Zotit ishte me të.

Himni i Zakarisë

67Atëherë Zakaria, i ati i tij, u mbush me Shpirtin Shenjt dhe profetizoi:

68»Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

69Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

70sikurse premtoi kaherë me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

71se do të na shpëtojë prej armiqëve tanë dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

72se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

73e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë se do të na e bëjë të mundshme

74t’i shërbejmë pa frikë, të çliruar nga duart e armikut

75në shenjtëri e drejtësi para tij për çdo ditë të jetës sonë.

76E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, sepse do të shkosh përpara Zotit për t’ia përgatitur udhët,

77për ta vënë në dijeni popullin e tij se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

78në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

79për të shndëritur ata që gjenden në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.«

80Ndërkaq foshnja rritej e zhvillohej shpirtërisht. Jetoi në shkreti deri atë ditë, kur iu dëftua ballafaqe Izraelit.