Të gjithë kapitujt

Marku · Kapitulli 16

Ngjallja e Jezusit, Përfundimi i gjatë i Markut Shfaqja e Jezusit Marisë Magdalenë, etj.

20 vargje

Ngjallja e Jezusit

1Kur kaloi e shtuna, Maria Magdalenë dhe Maria e Jakobit e Saloma blenë erëra të mira për të shkuar ta përerojnë Jezusin.

2Të parën ditë mbas të shtunës, në mëngjes, shumë herët, në të lindur të diellit, erdhën te varri.

3I thoshin shoqja - shoqes: »Kush do të na e rrokullisë gurin prej grykës së varrit?«

4Shikuan, kur qe, guri ishte i rrokullisur. Ishte, vërtet i madh fort!

5Ato hynë në varr e panë një djalosh ndenjur në anë të djathtë, të veshur me petk të bardhë, e u trembën.

6Por ai u tha: »Ju mos u trembni! Ju kërkoni Jezusin prej Nazaretit, të Kryqëzuarin. Ai u ngjall, nuk është këtu! Qe vendi ku e patën vënë.

7Shkoni dhe thoni nxënësve të tij - veçanërisht Pjetrit: Po shkon para jush në Galile, Atje do ta shihni, sikur u pat thënë:«

8Ato dolën dhe ikën nga varri, sepse i kapi frikë e madhe dhe tmerri. S’i treguan askujt asgjë, sepse kishin frikë…

Përfundimi i gjatë i Markut Shfaqja e Jezusit Marisë Magdalenë

[[

9Si u ngjall, pra, Jezusi, herët në mëngjes, të parën ditë të javës, më së pari iu dëftua Marisë Magdalenë, prej të cilës i pat dëbuar shtatë shpirtra të ndytë.

10Ajo shkoi e u tregoi atyre që kishin qenë me të, që tani ishin në zi dhe e qanin.

11Kur ata dëgjuan se është gjallë dhe se kjo e kishte parë, nuk i besuan.

Jezusi u dëftohet dy nxënësve

12Pastaj Jezusi u dëftua në një trajtë tjetër, udhës, dyve prej nxënësve që po shkonin në fshat.

13Ata u kthyen e u treguan të tjerëve. As këtyre nuk u besuan.

Dërgimi i nxënësve

14Në fund u dëftua të Njëmbëdhjetëve ndërkohë që po ndodheshin në tryezë. I qortoi për pabesimin e tyre dhe për ngurësinë e zemrës, pse s’u besuan atyre që e kishin parë të ngjallur prej së vdekuri.

15Dhe u tha: »Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin të gjithë njerëzve.

16Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë, do të dënohet.

17Shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë, janë këto: në emër tim do t’i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja;

18[në duar] do t’i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pijnë ndonjë send që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq. Do t’i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen.«

Jezusi ngjitet në qiell

19Zotëria [Jezusi], pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit.

20Kurse ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte Fjalën me mrekulli që e përcillnin.]]

Përfundimi i shkurtër i Markut

[[Ato e lajmëruan Pjetrin dhe shokët e tij menjëherë për gjithçka kishin qenë porositur. Mandej edhe vetë Jezusi bëri që me anë të tyre të çohet predikimi i shenjtë dhe i paprishur i shëlbimit të amshuar prej Lindjes e deri në Perëndim.]]