Të gjithë kapitujt

Luka · Kapitulli 3

Predikimi i Gjon Pagëzuesit, Pagëzimi i Jezusit, etj.

38 vargje

Predikimi i Gjon Pagëzuesit

1Në të pesëmbëdhjetin vit të sundimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, kur Herodi ishte tetrark i Galilesë, Filipi, vëllai i tij, tetrark i krahinës së Ituresë e i Trakonitidës, Lizania tetrark i Abilenës;

2kur Ana e Kajfa ishin kryepriftërinj, fjala e Hyjit i qe drejtuar Gjonit, birit të Zakarisë, në shkreti.

3Atëherë Gjoni e përshkoi mbarë krahinën e Jordanit duke predikuar pagëzimin e kthimit për falje të mëkateve

4në përkim me sa shkruan në librin e predikimeve të Isaisë profet: »Zëri i atij që bërtet në shkreti: përgatitni udhën e Zotit; rrafshoni shtigjet e tija!

5Çdo luginë le të mbushet, çdo mal e kodër le të ulet; udhët e shtrembëra le të bëhen të drejta e ato gropa-gropa le të bëhen të rrafshta.

6E çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit.«

7Tashti, Gjoni u thoshte turmave që vinin të pagëzoheshin prej tij: »Gjarpërinj gjarpërinjsh! Kush ju përkujtoi të ikni prej zemërimit që po vjen?

8Bëni, pra, fryte të denja kthimi dhe mos t’ju shkojë ndër mend të thoni në vetvete: ‘Kemi atë Abrahamin!’, sepse, unë po ju them: Hyji mund t’i nxjerrë prej këtyre gurëve fëmijë Abrahamit!

9Tashmë sëpata u vu mbi rrënjë të lëndëve: çdo lëndë që nuk jep fryt të mirë, pritet dhe qitet në zjarr.«

10Atëherë e pyetnin turmat: »Ne, pra, ç’na duhet të bëjmë?«

11»Kush ka dy palë petka - u përgjigjej - le t’i ndajë me atë që s’ka. Edhe ai që ka ushqime, le të bëjë kështu!«

12Erdhën edhe disa tagrambledhës t’i pagëzojë dhe i thanë: »Mësues, po neve çka duhet të bëjmë?«

13Ai u përgjigji: »Mos kërkoni asgjë më tepër se ju është caktuar.«

14E pyetën edhe disa ushtarë: »Po ne, çka duhet të bëjmë?« Edhe atyre u përgjigji: »Askënd mos merrni me të keq! Askënd mos paraqitni rrejshëm dhe jini të kënaqur me rrogën tuaj!«

15E pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është shi ky Mesia,

16këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve: »Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidhë lidhësat e sandaleve të tija. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr.

17Ai e mban në dorën e vet terploten për të pastruar lëmin e vet, për të mbledhur grurin në grunarin e vet, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm.«

18E me shumë mësime të tjera ia shpallte popullit Ungjillin.

19Ndërkaq Herodi tetrark, të cilin e qortoi Gjoni për shkak të Herodiadës, gruas së vëllait të tij dhe për arsye të të gjitha veprave të tjera të këqija,

20të gjitha këtyre ua shtoi edhe një: e qiti Gjonin në burg.

Pagëzimi i Jezusit

21Kur u pagëzua mbarë populli, u pagëzua edhe Jezusi dhe, ndërsa po lutej, u hap qielli

22dhe Shpirti Shenjt zbriti mbi të në trajtë trupore porsi pëllumb, e prej qiellit ushtoi zëri: »Ti je Biri im - Djali i dishirit. Ty të përkrah plotësisht!«

Breznia ligjore e Jezusit

23Jezusi, kur filloi veprimtarinë botore, ishte rreth tridhjetë vjeç. Ishte - si kujtonin njerëzit - biri i Jozefit, i Helit,

24i Matatit, i Levit, i Melkit, i Janait, i Jozefit,

25i Matatisë, i Amosit, i Naumit, i Heslit, i Nagait,

26i Mahatit, i Matatisë, i Semeit, i Josehit, i Jodës,

27i Joananit, i Resait, i Zorobabelit, i Salatielit, i Nerit,

28i Melkit, i Adit, i Kozamit, i Elmadamit, i Erit,

29i Jezusit, i Elizerit, i Jorimit, i Matatit, i Levit,

30i Simonit, i Judës, i Jozefit, i Jonamit, i Eliakimit,

31i Meleait, i Menait, i Matatait, i Natamit, i Davidit,

32i Jeseut, i Obedit, i Boozit, i Salait, i Naasonit,

33i Aminadabit, i Adminit, i Arnit, i Esromit, i Faresit, i Judës,

34i Jakobit, i Izakut, i Abrahamit, i Tares, i Nahorit,

35i Seruhut, i Ragaut, i Falekut, i Eberit, i Salait,

36i Kainamit, i Arfaksadit, i Semit, i Noehit, i Lamehit,

37i Matuzalës, i Enokut, i Jaredit, i Maleleelit, i Kainamit,

38i Enosit, i Setit, i Adamit i Hyjit.