Të gjithë kapitujt

Marku · Kapitulli 14

Komploti kundër Jezusit, Përerimi në Betani, etj.

72 vargje

Komploti kundër Jezusit

1Mbas dy ditësh do të ishin Pashkët dhe Pabrumet. Krypriftërinjtë dhe skribët kërkonin mënyrën si ta zënë me dredhi Jezusin e ta vrasin.

2Sepse thoshin: »Jo në Festë, assesi, që të mos bëhet kryengritje në popull.«

Përerimi në Betani

3Jezusi ishte në Betani në shtëpinë e Simonit të Gërbulur. Ndërsa ishte ulur të hajë bukë, hyri një grua me enë alabastri me erëra të mira nardi të pastër e të shtrenjtë. E theu enën alabastri dhe ia zbrazi Jezusit mbi krye.

4Për këtë punë disa u hidhëruan dhe i thoshin njëri-tjetrit: »Pse të derdhet ky parfum?

5Parfumi mundi të shitej më shumë se treqind denarë e t’u jepshin skamnorëve.« Dhe e prozhmonin atë grua.

6»Line! Pse po e trazoni - u tha Jezusi. - Ajo kreu një vepër të mirë kundrejt meje.

7Sepse, skamnorët do t’i keni gjithmonë me vete dhe do të mund t’u bëni mirë kur të doni, përkundrazi mua nuk do të më keni gjithherë.

8Ajo bëri çka mundi: që më parë ma leu trupin tim për varrim.

9Përnjëmend po ju them: kudo që - në botën mbarë - do të predikohet Ungjilli, do të tregohet edhe çka bëri kjo - në përkujtimin e saj.«

Juda bën godi ta tradhtojë Jezusin

10Judë Iskarioti, njëri prej të Dymbëdhjetëve, shkoi te kryepriftërinjtë që t’ua dorëzojë Jezusin.

11Kur ata dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan se do t’i japin të holla. Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar.

Darka e Pashkëve me nxënës

12Ditën e parë të Pabrumeve, kur flijohej qengji i Pashkëve, nxënsit e tij i thanë: »Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkëve?«

13Jezusi i dërgoi dy prej nxënësve të vet dhe u tha: »Shkoni në qytet e atje do t’ju takojë një njeri që mbart një katrovë uji: shkoni pas tij.

14Ku të hyjë ai, thoni zotshtëpisë: ‘Mësuesi thotë: ku është salloni im, ku do të mund të ha Pashkë me nxënësit e mi?’

15Ai do t’ju tregojë në kat një sallon të madh, të shtruar e të përgatitur. Aty na përgatitni darkën.«

16Nxënësit u nisën, arritën në qytet dhe gjetën gjithçka ashtu si u kishte thënë dhe e përgatitën darkën e Pashkëve.

17Kur u bë natë, Jezusi erdhi me të Dymbëdhjetët.

18Ndërsa ishin në tryezë dhe po hanin, Jezusi u tha: »Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë: ‘njëri që po ha me mua.’«

19Nxënësit u trishtuan e filluan ta pyesin njëri pas tjetrit: »A mos jam unë?«

20Jezusi u përgjigji: »Njëri prej të Dymbëdhjetëve! Një që po ngjyen me mua në pjatë.

21Njëmend, Biri i njeriut po shkon, siç u shkrua për të, por i mjeri ai që po e tradhton Birin e Njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të që as të mos kishte lindur fare!«

Themelimi i Eukaristisë

22Ndërsa po hanin darkë, Jezusi mori bukën e bekoi Hyjin, e theu, ua dha e tha: »Merrni, ky është korpi im!«

23Pastaj mori gotën, u falënderua e ua dha. Të gjithë pinë prej saj.

24U tha: »Ky është gjaku im, gjaku i Besëlidhjes, që derdhet për të gjithë.

25Për të vërtetë, po ju them: nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri atë ditë, kur do ta pi të ri në Mbretërinë e Hyjit.«

26Pasi e kënduan himnin, u nisën drejt Malit të Ullinjve.

Parakallëzimi i mohimit të Pjetrit

27Jezusi u tha: »Të gjithë ju do të shkandulloheni në mua, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Do t’i bie bariut e delet do të shpërndahen.’

28Por, pasi të ngjallem do t’ju dal para në Galile.«

29Atëherë Pjetri i tha: »Në qoftë se të gjithë do të shkandullohen, unë jo, asesi!«

30Jezusi i përgjigji Pjetrit: »Për të vërtetë, po të them: sot, shi sonte, para se të këndojë gjeli dy herë, tri herë do të më bish mohit.«

31Pjetri ngulte edhe më tepër në fjalën e vet: »Edhe nëse do të më duhet të vdes bashkë me ty, unë nuk do të të mohoj!« Po ashtu thoshin edhe të gjithë tjerët.

Urata në Gjetseman

32Dhe arritën në vend që quhej Gjetseman. Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet: »Rrini këtu derisa të lutem.«

33Mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe filloi ta kapë frika dhe ta ndiejë veten ngushtë,

34e u tha: »Shpirti im është i trishtuar për vdekje. Mos u largoni e rrini zgjuar!«

35U largua pak, ra përmbys përdhe e lutej që, nëse ishte e mundur, t’i rrijë larg ai çast.

36E thoshte: »Abba! Atë, ti mundesh gjithçka! Largoje prej meje këtë gotë, por jo çka dua unë, por çka do ti!«

37U kthye, i gjeti fjetur dhe i tha Pjetrit: »Simon, a po fle? Po a nuk qe i zoti të rrish zgjuar për një orë të vetme?

38Rrini zgjuar dhe lutuni të mos bini në tundim. Shpirti është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.«

39Përsëri u largua dhe u lut duke thënë të njëjtat fjalë.

40Kur u kthye prapë i gjeti fjetur, sepse sytë u ishin rënduar. Nuk dinin as ç’t’i përgjigjin.

41Erdhi të tretën herë dhe u tha: »Ende po flini e po pushoni? Mjaft më! Erdhi ora! Qe, Biri i njeriut po lëshohet në duar të mëkatarëve.

42Çohuni të shkojmë! Qe, po afrohet ai që po më tradhton!«

Tradhtimi dhe arrestimi i Jezusit

43Ndërkohë që ai ende po fliste, ia behi Juda, njëri prej të Dymbëdhjetëve e bashkë me të një shumicë e madhe njerëzish me shpata e me shkopinj, të dërguar prej kryepriftërinjve, prej skribëve e prej pleqve.

44Tradhtari i tij u kishte dhënë këtë shenjë: »Kë të puth unë, ai është. Atë kapni e merrnie me vete me kujdes të madh!«

45Si arriti, menjëherë iu afrua Jezusit, i tha: »Rabbi!« dhe e puthi.

46Ata vunë dorë në të dhe e kapën.

47Njëri prej të pranishmëve, nxori shpatën, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia shkurtoi veshin.

48Jezusi mori fjalën dhe u tha: »Paskeni ardhur me shpata e me shkopinj të më kapni sikurse unë të isha cub!

49E, pra, për ditë isha me ju në Tempull duke mësuar e nuk më kapët… Ani, le të shkojë në vend Shkrimi shenjt!«

50Atëherë të gjithë nxënësit e lanë dhe ikën.

Djaloshi i ri që ikën

51E një djalosh, i mbështjellë trupit vetëm me çarçaf, po shkonte mbas Jezusit. Ata e kapën.

52Ky lëshoi çarçafin e iku lakuriq.

Jezusi para këshillit të lartë - Sinedrit

53Ata e çuan Jezusin te kryeprifti, ku u mblodhën të gjithë kryepriftërinjtë, pleqtë dhe skribët.

54Pjetri e ndoq për së largu deri në oborr të kryepriftit. Po rrinte aty bashkë me shërbëtorë dhe po nxehej pranë zjarrit.

55Krerët e priftërinjve dhe mbarë Këshilli i lartë kërkonin ndonjë dëshmi kundër Jezusit për ta vrarë, po nuk e gjenin.

56Njëmend shumë vetë dëshmuan rrejshëm kundër tij, porse dëshmitë nuk ishin në përkim.

57Disa u çuan e dëshmuan rrejshëm kundër tij e thanë:

58»Ne e kemi dëgjuar duke thënë: ‘Unë do ta rrënoj këtë Tempull të punuar me dorë njeriu dhe për tri ditë do ta ndërtoj një tjetër që s ‘do të jetë i punuar me dorë.’«

59Por dëshmia e tyre as në këtë pikë nuk ishte në përkim.

60Atëherë u ngrit kryeprifti në midis të Këshillit dhe e pyeti Jezusin me këto fjalë: »Pse nuk po përgjigj asgjë? Çka po dëshmojnë këta njerëz kundër teje?«

61Jezusi heshtonte. Nuk përgjigji asgjë. Kryeprifti prapë e pyeti e i tha: »A je ti Mesia, Biri i Hyjit të Bekuar?«

62Jezusi i përgjigji: »Unë jam! Po edhe ju ‘do ta shihni Birin e njeriut duke ndenjur në anën e djathtë të Hyjit të gjithpushtetshëm, dhe duke ardhur me re të qiellit.’«

63Atëherë kryeprifti i shqeu petkat e veta dhe tha: »Ç’na duhen më dëshmitarët?

64Ju vetë e dëgjuat blasfeminë. Ç’ju thotë mendja?« Të gjithë gjykuan se meriton të vritet.

65Atëherë disa filluan ta pështyjnë, t’ia mbulojnë fytyrën e ta rrahin grushta e t’i thonë: »Profetizo!« E shërbëtorët i binin shuplaka.

Pjetri i bie mohit Jezusit

66Ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi një shërbëtore e kryepriftit,

67dhe kur e pa Pjetrin duke u ngrohur, ia lëshoi mirë sytë dhe i tha: »Edhe ti ishe me këtë Nazarenas, me Jezusin.«

68Ai e mohoi me këto fjalë: »As s’di as s’po marr vesh se çka po flet.« Pastaj u çua e doli në treme (edhe gjeli këndoi.)

69Shërbëtorja, kur pa filloi t’u flasë të pranishmëve: »Ky është një prej tyre!«

70Pjetri prapë mohoi. Pak më vonë edhe ata që ishin aty i thanë Pjetrit: »Me të vërtetë, ti je një prej tyre! Se po ti i galileas je!«

71Atëherë ai ia filloi të lëshojë be e rrufe: »Unë nuk e njoh atë njeri për të cilin po flisni.«

72Menjëherë gjeli këndoi për së dyti e Pjetrit iu kujtua fjala që Jezusi ia tha: »Para se gjeli të këndojë dy herë, tri herë do të më mohosh.« Dhe shpërtheu në vaj.