Të gjithë kapitujt

Marku · Kapitulli 6

Jezusin e përbuzin në vendin e vet, Dërgimi i të Dymbëdhjetëve, etj.

56 vargje

Jezusin e përbuzin në vendin e vet

1Jezusi u nis prej andej e shkoi në vend ku u rrit. E përcollën edhe nxënësit e tij.

2Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë në sinagogë. Shumica e dëgjuesve çuditeshin e thoshin: »Nga i vijnë këtij këto? Ç’është kjo dije që iu dhurua? Po këto mrekulli të mëdha që bëhen nga duart e tija?

3Po a nuk është ky zdrukthëtar, i biri i Marisë, vëllai i Jakobit, i Jozetit, i Judës, i Simonit? Po a nuk janë këtu ndër ne motrat e tija?« Kështu u bë për ta arsye e mosbesimit në të.

4Jezusi u tha: »Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.«

5Dhe nuk mundi aty të bëjë asnjë mrekulli, përveç se shëroi disa të sëmurë duke vënë mbi ta duart.

6E çuditej për mosbesimin e tyre.

Dërgimi i të Dymbëdhjetëve

Kështu doli e mësonte nëpër fshatra përreth.

7Atëherë i thirri të Dymbëdhjetët e nisi t’i dërgojë dy nga dy dhe u dha pushtet mbi shpirtrat e ndytë.

8U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër, përveç shkopit: as bukë, as strajcë, as para bakri në brez,

9por të mbathnin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë petka.

10Dhe u thoshte: »Kudo që të hyni në ndonjë shtëpi, rrini aty derisa të mos largoheni nga ai vend.

11Po qe se ndokund nuk ju pranojnë dhe nuk ju dëgjojnë, dilni dhe shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre.«

12Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin kah Hyji.

13Dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.

Vdekja e Gjon Pagëzuesit

14Edhe mbreti Herod dëgjoi për Jezusin, sepse emri i tij u bë i njohur. Thuhej: »Gjon Pagëzuesi u ngjall prej të vdekurish, prandaj në të po veprojnë fuqitë mrekullbërëse«.

15Disa tjerë thoshin: »Është Elia!« Prapë do tjerë: »Është profet si çdo profet tjetër!«

16Kur dëgjoi, Herodi tha: »U ngjall Gjoni, ai, të cilit ia pata shkurtuar kryet!«

17Dhe njëmend, vet Herodi kishte dhënë urdhër të kapej Gjoni, të ngujohej në pranga e të burgosej. Shkaku ishte Herodiada, gruaja e Filipit, të vëllait të tij, të cilën e kishte marrë për grua.

18E pasi Gjoni i kishte thënë Herodit: »S’guxon ta mbash gruan e vëllait tënd!«,

19Herodiada e urrente dhe donte ta vrasë, por nuk mundte,

20sepse Herodi e dronte Gjonin. E dinte mirë se është njeri i drejtë e i shenjtë e prandaj edhe e mbronte. Kur e dëgjonte, trazohej fort në shpirt, por prapëseprapë e dëgjonte me ëndje.

21Por erdhi dita e volitshme, kur Herodi, me rastin e ditëlindjes së vet, u përgatiti një gosti bujarëve të vet, oficerëve të lartë dhe krerëve të Galilesë.

22Hyri vajza e Herodiadës e kërceu. I pëlqeu shumë Herodit dhe të grishurve. Atëherë mbreti i tha vajzës. »Lyp prej meje çka të duash dhe unë do ta jap.«

23Dhe iu përbetua (shumë): »Do të jap gjithçka të më lypësh, qoftë edhe gjysma e mbretërisë sime!«

24Ajo doli dhe i tha s’ëmës: »Çka të kërkoj? »Kryet e Gjon Pagëzuesit!« - i tha ajo.

25Vajza u kthye vrik te mbreti e i tha: »Dua të ma japësh tani në pjatë kryet e Gjon Pagëzuesit.«

26Mbreti u trishtua, por për shkak të premtimit dhënë me përbetim e për shkak të të grishurvet, nuk deshi t’ia mohojë kërkesën.

27Mbreti menjëherë dërgoi një vrasës dhe urdhëroi t’ia sjellë kryet e Gjonit. Ky shkoi, ia shkurtoi kryet në burg,

28e solli në pjatë, ia dha vajzës, kjo ia dha s’ëmës.

29Kur dëgjuan nxënësit e Gjonit, erdhën, morën trupin e tij dhe e shtinë në dhe.

Jezusi ushqen pesë mijë vetë

30Apostujt u bashkuan prapë te Jezusi dhe i treguan gjithçka kishin bërë dhe kishin mësuar.

31Atëherë ai u tha: »Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi.« Sepse aty aq shumë njerëz vinin e shkonin sa që s’kishin kohë as të hanin.

32Ata u nisën me barkë për në një vend të pabanuar, në vetmi.

33Porse njerëzit i panë në ç’drejtim u nisën e shumica e morën me mend vendin ku do të shkonin dhe, këmbë, prej të gjitha qyteteve, shkuan atje e arritën para tyre.

34Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimbtën, sepse ishin porsi ‘dhentë pa bari’, e filloi t’u mësojë shumë gjëra.

35Pasi kaloi shumë kohë e po bëhej vonë, iu afruan nxënësit e tij dhe i thanë: »U bë vonë e ky vend është i shkretë,

36thuaju të shkojnë në fshatra e katunde të rrethinës e të blejnë diç për të ngrënë.«

37»Jepnu ju të hanë« - u përgjigji. Ata i thanë: »Të shkojmë e të blejmë dyqind denarë bukë e t’u japim të hanë?«

38Ai vazhdoi: »Sa bukë keni? Shkoni e shihni!« Pasi shikuan, i përgjigjën: »Pesë bukë e dy peshq«.

39Atëherë u urdhëroi t’i ulin të gjithë në bar të njomë.

40Të gjithë u ulën grupe-grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë vetë.

41Jezusi, si i mori pesë bukët e dy peshqit, i lartësoi sytë kah qielli, e bekoi Hyjin, i ndau bukët dhe ua dha nxënësve të vet t’ua vënë para njerëzve. Po ashtu edhe dy peshqit ua ndau të gjithëve.

42Të gjithë hëngrën e u nginë.

43Çuan dymbëdhjetë shporta plot me copa edhe sa teproi prej peshqve.

44Ata që hëngrën ishin pesë mijë burra.

Jezusi ecën përmbi ujë

45Dhe menjëherë i nguti nxënësit e vet të hyjnë në barkë e të kalojnë në anën e kundërt drejt Betsaidës, derisa ai ta përcillte popullin.

46Kur e përcolli popullin, u ngjit në mal për t’u lutur.

47Kur u bë natë, barka ishte në midis të detit, kurse Jezusi vetëm në tokë.

48Kur i pa se si hiqnin keq duke rremuar - sepse era fryente nga ana e kundërt - diku rreth rojës së katërt, Jezusi erdhi tek ata duke ecur përmbi det. Deshi t’i kalojë,

49por ata, posa e panë duke ecur përmbi det, menduan se është fantasmë e bërtitën:

50sepse e panë të gjithë e u trembën. Por Jezusi menjëherë filloi të flasë me ta e u tha: »Zemër, he burra! Unë jam! Mos druani!«

51Dhe hypi tek ata në barkë e era pushoi. E mbetën krejtësisht të habitur,

52sepse ende nuk e kishin kuptuar vështrimin e mrekullisë së bukëve: mendja e tyre ishte e paaftë të kuptojë.

Shërime në rrethe të Gjenezaretit

53Pasi lundruan deri në breg, arritën në Gjenezaret e aty e lidhën barkën.

54Posa dolën nga barka, njerëzit që e njohën

55menjëherë shpejtuan të shkojnë nëpër mbarë krahinën e filluan të sjellin të sëmurit në vigje atje ku dëgjonin se ishte.

56E kudo që hynte: në fshatra, në qytete apo në katunde, i vendosnin të sëmurit në sheshe dhe e lutnin t’ia preknin së paku kindin e petkut. Të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.