Të gjithë kapitujt

Mateu · Kapitulli 8

Shërimi i gërbulanit, Shërbimi i shërbëtorit të centurionit - kapitenit, etj.

34 vargje

Shërimi i gërbulanit

1Kur Jezusi zbriti nga mali, iu vu pas një turmë e madhe populli.

2Dhe ja, një gërbulan iu afrua, ra përmbys para tij e i tha: »O Zot, nëse ti do, mund të më shërosh.«

3Atëherë Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: »Dua, shëndoshu!« Dhe përnjëherë u shërua gërbula e tij.

4Jezusi i tha: »Ruaju se i tregon kujt! Por shko, paraqitu te prifti e kushtoje flinë që e ka urdhëruar Moisiu, t’u vlejë atyre për dëshmi.«

Shërbimi i shërbëtorit të centurionit - kapitenit

5Kur Jezusi hyri në Kafarnaum, iu paraqit një centurion dhe iu lut:

6»Zotëri, shërbëtori im është ratë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë.«

7Jezusi i tha: »Do të vij dhe do ta shëroj.«

8Por centurioni i përgjigji: »O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën pullazin tim, por vetëm jep urdhër e do të shërohet shërbëtori im.

9Sepse, edhe unë që nuk jam tjetër, por një njeri i nënshtruar, kam nën urdhrin tim ushtarë dhe unë i them njërit: ‘Shko!’ dhe ai shkon e një tjetri: ‘Eja!’ dhe ai vjen, e shërbëtorit tim: ‘Bëje këtë!’ dhe ai e bën«

10Jezusi, kur e dëgjoi, u mrekullua dhe u tha atyre që po i shkonin pas: »Për të vërtetë po ju them: ende nuk e gjeta te asnjë njeri tjetër në Izrael një fe kaq të madhe!

11Prandaj po ju them: shumë do të vijnë nga Lindja e nga Perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Izakun e Jakobin në Mbretërinë e qiellit,

12ndërsa bijtë e Mbretërisë do të hidhen jashtë në errësirë, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh.«

13Atëherë i tha centurionit: »Shko e le të bëhet ashtu siç besove!« Dhe shërbëtori i tij u shërua po në atë orë.

Shërimi i shumë të sëmurëve

14Kur Jezusi shkoi në shtëpinë e Pjetrit, pa vjehrrën e Pjetrit ratë ndër ethe.

15Jezusi ia preku dorën, atë e lëshuan ethet, u çua e i shërbeu.

16Kur u bë natë i sollën shumë të djallosur. Jezusi me fuqinë e fjalës i dëboi shpirtrat dhe i shëroi të gjithë të sëmurit,

17që kështu të plotësohej fjala e Isaisë profet që thotë: »Ai i mori lëngatat tona e i mbarti sëmundjet tona«

Çka lypet për të qenë i krishterë i mirë

18Jezusi, kur e pa turmën e njerëzve që po e rrethonte, dha urdhër të kalojnë në anën tjetër.

19Ndërkaq u afrua një skrib e i tha: »Mësues, do të vij mbas teje kahdo që të shkosh.«

20Jezusi i përgjigji: »Dhelprat kanë strofuj e zogjtë e qiellit çerdhe, kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kryet.«

21Një tjetër nga nxënësit e tij tha: »Zotëri, më lejo të shkoj një herë e ta varros tim atë.«

22Jezusi i përgjigji: »Eja pas meje e lëri të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet!«

Stuhia e fashitur

23Si hyri në barkë, pas tij u nisën edhe nxënësit e tij.

24Dhe ja, në det u çua një stuhi e madhe aq sa valët po e mbulonin barkën; e ai flinte.

25Atëherë nxënësit iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: »Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm!«

26»Pse po frikësoheni, o fepakët? - u tha dhe atëherë u ngrit, u urdhëroi erërave dhe detit e u bë qetësi e madhe.

27Njerëzit të habitur thoshin: »Kush është ky që po i nënshtrohen erërat dhe deti?«

Të djallosurit prej Gadarës

28Si kaloi në bregun tjetër - në krahinën e gadarenëve, dy të djallosur që dolën nga varret, i erdhën para. Ishin aq të rrezikshëm, sa që askush s’guxonte të kalojë asaj rruge.

29Dhe ja, bërtitën: »Çka do prej nesh, o Biri i Hyjit? A erdhe këtu të na mundosh para kohës?«

30Jo larg tyre kulloste një tufë e madhe thish.

31Shpirtrat e këqij iu lutën Jezusit: »Nëse po na dëbon, na ço në tufën e thive!«

32Ai u tha: »Shkoni!« Ata dolën e hynë në thi. Dhe ja, mbarë tufa u lëshua turr e prej greminës ra në det dhe u mbyt në ujë.

33Barinjtë ikën, e si mbërritën në qytet, treguan gjithçka, veçanërisht për të djallosurit.

34Dhe ja, mbarë qyteti i doli para Jezusit. Kur e panë, iu lutën të largohej prej krahinës së tyre.