Të gjithë kapitujt

Mateu · Kapitulli 9

Shërimi i të paralizuarit, Thirrja e Mateut, etj.

38 vargje

Shërimi i të paralizuarit

1Jezusi hypi në barkë, kaloi matanë dhe shkoi në qytetin e vet.

2Kur qe, ia sollën para një të pikuar, të shtrirë në vig. Jezusi, kur e pa fenë e tyre, i tha të paralizuarit: »Zemër, biro! Të janë falur mëkatet!«

3Dhe ja, disa prej skribëve menduan në vete: »Ky po blasfemon!«

4Jezusi, duke i ditur mendimet e tyre, tha: »Pse mendoni keq në zemrat tuaja?

5Çka është më lehtë të thuhet: ‘Të janë falur mëkatet’ apo të thuhet: ‘Ngritu e ec!?’

6‘Por që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi tokë - i tha atëherë të paralizuarit - Çohu në këmbë, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!«

7I paralizuari u ngrit e shkoi në shtëpi të vet.

8Kur pa turma, e kapi frika e i dha lavd Hyjit që u dha njerëzve pushtet kaq të madh.

Thirrja e Mateut

9Jezusi, si shkoi prej andej, pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë. Jezusi i tha: »Eja mbas meje!« Ai u ngrit dhe shkoi pas tij.

10Dhe, kur më vonë, Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, qe se ia behën shumë tagrambledhës e mëkatarë e u ulën në tryezë bashkë me Jezusin e me nxënësit e tij.

11Farisenjtë kur e panë këtë, i pyetën nxënësit e tij: »Pse mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhës e me mëkatarë?«

12Jezusi, kur i dëgjoi, përgjigji: »Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve!

13Shkoni e mësoni çka do të thotë: ‘Më pëlqen mëshira e jo flia!’ Sepse unë nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët.«

Çështja e agjërimit

14Atëherë iu afruan nxënësit e Gjonit e i thanë: »Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë?«

15Jezusi u përgjigji: »A është e mundur të mbajnë zi dasmorët derisa të jetë me ta dhëndri? Por, do të vijë koha, kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë edhe ata do të agjërojnë.

16Askush nuk vë arnë pëlhure të re në petk të vjetër, sepse arna e shtrin petkun dhe grisja bëhet më e madhe.

17As nuk shtihet vera e re në rrëshiqa të vjetër: përndryshe rrëshiqat shpohen, vera derdhet edhe rrëshiqat shkojnë dëm. Vera e re qitet në rrëshiqa të rinj e kështu ruhen të dy.

Ngjallja e vajzës së kryetarit dhe gruaja që preku kindin e petkut të Jezusit

18Ndërsa Jezusi po ua mësonte këto, qe se iu afrua një kryetar, ra përmbys para tij dhe i tha: »Posa më vdiq vajza. Megjithatë eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të ngjallet.«

19Jezusi u ngrit dhe bashkë me nxënësit e vet shkoi pas tij.

20Kur qe, një grua e cila vuante nga derdhja e gjakut tash dymbëdhjetë vjet, iu afrua mbas shpine e ia preku kindin e petkut të tij,

21sepse thoshte në vete: »Do të shërohem nëse ia preku vetëm petkun e tij!«

22Jezusi u soll, e pa dhe i tha: »Ki besim, o bijë! Feja jote të shpëtoi!« Dhe gruaja u shërua në atë moment.

23Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit, dhe si i pa ata që u binin fyejve dhe njerëzit që po bënin zhurmë,

24u tha: »Largohuni se vajza nuk ka vdekur, por po fle.« Ata e përqeshën.

25Dhe, pasi u qitën njerëzit përjashta, hyri Jezusi, e mori për dore vajzën dhe ajo u ngrit.

26Lajmi i kësaj mrekullie u përhap anembanë asaj krahine.

Shërimi i dy të verbërve

27Kur Jezusi u nis prej andej, shkonin pas tij dy të verbër duke bërtitur e thoshin: »Ki mëshirë për ne, Biri i Davidit!«

28Kur arriti në shtëpi, të verbërit iu afruan e Jezusi u tha: »A besoni se mund ta bëj këtë gjë?« Ata i përgjigjën: »Po, Zotëri!«

29Atëherë ua preku sytë e tha: »U bëftë sipas besimit tuaj!«

30Dhe atyre u çelën sytë. Atëherë Jezusi u urdhëroi: »Kini kujdes! Askush mos ta dijë!«

31Por ata, posa dolën, e shtrinë zërin për të nëpër mbarë krahinën.

Shërimi i memecit të djallosur

32Posa dolën këta, qe, se ia sollën një memec të djallosur.

33Pasi e nxori djallin, memeci foli. Njerëzit të mrekulluar, thoshin: »Kurrë s’u pa një gjë e tillë në Izrael!«

34Ndërsa farisenjtë thoshin: »Ai i nxjerr djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve.«

Dhembshuria e Jezusit për popull

35Kështu Jezusi qarkullonte nëpër të gjitha qytetet e fshatrat. Mësonte në sinagogat e tyre: predikonte Ungjillin e Mbretërisë dhe shëronte çdo sëmundje e lëngatë.

36Kur e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari.

37Atëherë u tha nxënësve të vet: »Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak.

38Lutuni, pra Zotërisë të të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.«