Të gjithë kapitujt

Mikea · Kapitulli 6

III.GJYKIM I RI KUNDËR IZRAELIT QORTIME E KËRCËNIME, Zoti gjykon popullin e vet, etj.

16 vargje

III.GJYKIM I RI KUNDËR IZRAELIT QORTIME E KËRCËNIME

Zoti gjykon popullin e vet

1Dëgjoni se çfarë thotë Zoti: »Në këmbë! Mbrohu në gjyq përpara Maleve edhe Kodrat le të ta dëgjojnë zërin!«

2Dëgjoni, Male, gjykimin e Zotit, vëni vesh, themelet e tokës, sepse Zoti me popull të vet po gjykohet, Izraelin Ai po e pandeh:

3»Çka të kam bërë, populli im? E me çka ty ta mërzita? Më përgjigj!

4Të nxora nga dheu i Egjiptit, të shpëtova prej shtëpisë së skllavërisë, para teje çova Moisiun, Aronin edhe Marinë!

5Populli im, të bie në mend, të lutem, ç’synoi Balaku, mbreti i Moabit? Ç’gjegje i dha Balaam Beori? Nga Setimi deri në Galgalë për t’i njohur veprat e drejta të Zotit.«

6»Çka kam të denjë t’i kushtoj Zotit kur bie në gjunj para të Tejetlartit Hyj? T’i kushtoj, vallë, fli shkrumbimi ose viça që e mbushën vjetin?

7A thua Zotit do t’i pëlqejnë? mijëra deshësh e përrenj vaji me miliarda? T’i kushtoj, thua, të parëlindurin si shpërblim për fajin tim, frytin e kraharorit tim për mëkat që bëra?«

8»T’është dëftuar ç’është e mirë, o njeri, e çka Zoti kërkon prej teje: s’kërkon tjetër pos të zbatosh drejtësinë, të duash mirësinë, të jetosh kujdesshëm me Hyjin tënd!«

Kundër mashtruesve në qytet

9Zëri i Zotit përhapet qytetit - është urti të druhet emri yt -: »Dëgjoni, fis e kuvendi i qytetit!

10A mund ta duroj batin e rremë, efin e zvogëluar, të mallkuarin?

11Mund t’i shfajësoj peshoret e rreme, qeset e peshave mashtruese?

12Plot paudhësi janë të pasurit e qytetit, sa herë flasin, banorët e tij rrejnë gjuhë gënjeshtare kanë në gojën e tyre.

13Prandaj zura të të godas, të të shkretoj për mëkate të tua!

14Do të hash, por nuk do të ngihesh, gjendja jote e mjerë në ty do të mbesë. Do të ndash mbanash, por s’do të shpëtosh gjë, po edhe nëse do të shpëtosh gjë, do t’ia fal shpatës.

15Do të mbjellësh e s’do të korrësh, do të shtrydhësh ullinj e me vaj s’do të lyhesh, do të shtrydhësh rrush e verë s’do pish.

Shembulli i Samarisë

16I mban urdhërat e Omriut, të gjitha veprat e shtëpisë së Akabit, sillesh simbas parimeve të tyre që unë të bëj në ty një emnesë, banorët e tu shenjë përqeshjeje: do ta mbartni poshtërimin e popujve.«