Të gjithë kapitujt

Nahumi · Kapitulli 1

Titulli, HYRJE, etj.

14 vargje

Titulli

1Profecia mbi Ninivën. Libri i vegimit të Nahumit Elcezeas.

HYRJE

Psalm. Felgrimi i Zotit

2Hyj ziliqar e ahmarrës është Zoti! Ahmarrës është Zoti e plot felgrim! Ahmarrës është Zoti kundër armiqve të vet, dhe ruan zemërimin për kundërshtarët e vet.

3Zoti është i durueshëm e i madhërueshëm në fuqi, s’ka fajtor që e lë të pandëshkuar! Udha e tij në shtrëngatë edhe në vorbull, retë janë pluhuri i këmbëve të tija!

4Kërcënon detin e ai thahet, të gjithë lumenjtë i shndërron në shkretëtirë! U shkrumbuan Basani e Karmeli, u vyshk lulja e Libanit!

5Para tij tunden malet, dridhen kodrat, trandet toka para tij, e gjithësia me banorë të vet!

6Kush mund të qëndrojë para felgrimit të tij, t’i bëjë ballë flakës së zemërimit të tij? Idhnia e tij u derdh si zjarri, dhe qetat u shkrinë prej vapës së tij!

7I mirë është Zoti, është strehim në ditë të vështirë, i njeh ata që në të kanë shpresën

8edhe kur vërshon përmbytja. Do t’i shuajë kundërshtarët e vet, armiqtë e tij do t’i hajë terri!

Qortime profetike Judës e Ninivës

/Judës/

9Çfarë mendoni kundër Zotit? Ai është ai që asgjëson çdo gjë! S’ka nevojë të ndrydhë dy herë!

10Si ferrat e dendura ndër vete të gërshetuara, si pijanecat e dehur, do të asgjësohen si kashta krejt e thatë!

/Asurit/

11Prej teje doli ai që Zotit të keqen ia mendon, këshilltari që synon kryengritjen!

/Judës: vegim/

12Kështu thotë Zoti: »Le të jenë të fortë, le të jenë, në dashtë, shumë, do të krasiten e do të zhduken! Ty të ndëshkova, porse nuk do të të ndëshkoj!

13Copë do ta bëj shkopin që shpinës të binte, vargjet e tua grimë-grimë do t’i bëj!«

/Mbretit të Ninivës: vegim/

14Për ty Zoti do ta japë këtë urdhër: »Nuk do të lejë më djalë në vatër! Në tempull të hyjit tënd do të zhduk idhujt e gdhendur e të shkrirë e do ta vë varrin tënd sepse i pandershëm je!«

/Judës/