Të gjithë kapitujt

Nehemia · Kapitulli 8

Lindja e judaizmit: Esdra e lexon Ligjin. Festa e Tendave

18 vargje

Lindja e judaizmit: Esdra e lexon Ligjin. Festa e Tendave

1Kur arriti muaji i shtatë, izraelitët ishin vendosur në qytetet e veta. Atëherë u bashkua mbarë populli si një njeri i vetëm në sheshin që është para derës së Ujërave dhe i thanë skribit Esdra ta sjellë librin e Ligjit të Moisiut, që Zoti ia kishte dhuruar Izraelit.

2Atëherë prifti Esdra e solli Ligjin para tubimit që e përbënin burra, gra dhe të gjithë ata që janë të aftë të kuptojnë. Ishte dita e parë e muajit të shtatë.

3Në sheshin që është para derës së Ujërave, filloi ta lëxonte librin prej agimit deri në mesditë, përpara burrave, grave dhe të gjithë atyre që ia kishin arritur dritës së arsyes. I tërë populli e dëgjonte me kujdes librin e Ligjit.

4Skribi Esdra qëndronte mbi një kuvendore të drunjtë që e kishin punuar për këtë qëllim. Pranë tij qëndronin: në të djathtë të tij Matatia, Semeja, Ania, Uria, Helcia e Maasia, kurse në të majtë ishin Fadaja, Misaeli, Melkia, Hasumi, Hasbadana, Zakaria e Mosolami.

5Esdra e hapi Librin para syve të terë popullit - sepse qëndronte pak më lart se populli - dhe, kur e hapi librin, u ngrit në këmbë i tërë populli.

6Atëherë Esdra e bekoi Zotin, Hyjin e madh; ndërsa i tërë populli me duar lart, u përgjigj: “Amen, amen!” pastaj u përkulën dhe e adhuruan Hyjin me fytyrën e ulur deri në tokë.

7Levitët Jezuai, Baniu, Serebia, Jamini, Akubi, Septaji, Hodia, Maasia, Celita, Azaria, Jozabedi, Hanani dhe Falaja, ia shpjegonin popullit Ligjin, ndërsa populli qëndronte në vendin e vet.

8Dhe Librin e Ligjit të Hyjit e lëxonin pjesë pjesë dhe ia shpjegonin kuptimin që populli ta kuptonte mirë atë që lexohej.

9Atëherë qeveritari Nehemi, prifti dhe skribi Esdra si dhe levitët që e mësonin popullin, iu drejtuan mbarë popullit: “Kjo është ditë që i kushtohet Zotit, Hyjit tonë! Mos jini të trishtuar as mos qani!” Sepse mbarë populli qante duke dëgjuar fjalët e Ligjit.

10Atëherë Nehemia shtoi: “Shkoni e hani mish të majmë dhe pini pije të ëmbla e jepnu pjesë edhe atyre që nuk kanë bërë gati gjë për vete, sepse është ditë e shenjtë e Zotit tonë! Dhe mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj.”

11Levitët e qetësonin mbarë popullin dhe thoshin: “Pushoni, sepse është ditë e shenjtë e Zotit e s’bën të trishtoheni!”

12Mbarë populli shkoi të hante, të pinte e t’u çonte pjesë atyre që s’kishin, e të kremtonte, sepse i kishin kuptuar fjalët që ua kishin shtjelluar.

13Ditën e dytë u mblodhën te skribi Esdër zotët e shtëpive të mbarë popullit, priftërinjtë dhe levitët, për t’i shqyrtuar fjalët e Ligjit.

14Në Ligj e gjetën të shkruar se Zoti e ka dhënë me anë të Moisiut që bijtë e Izraelit gjatë festës të të shtatit muaj, duhet të banojnë nën tenda.

15Sa e dëgjuan këtë, e shpallën dhe e përhapën në të gjitha qytetet e veta dhe në Jerusalem: “Dilni në mal e sillni gema ulliri, degëza ulliri të egër, mërsine, degë myrtash dhe palmash si dhe degë drujsh tjerë gjethorë për të ndërtuar tana siç është e shkruar.”

16Populli doli, i solli dhe i ndërtuan tanat, secili në pullazin e vet, në oborret e veta, në oborret e Shtëpisë së Hyjit, në sheshin e derës së Ujërave dhe në sheshin e derës së Efraimit.

17Mbarë, pra, bashkësia e atyre që u riatdhesuan nga shpërngulja, i punuan tanat dhe banuan në to. Prej kohës së Jozuehut, birit të Nunit, izraelitët nuk e kishin bërë këtë gjë prandaj u bë gëzim shumë i madh.

18Esdra e lexonte Librin e Ligjit të Hyjit çdo ditë, nga dita e parë e deri në të sprasmen. U kremtua shtatë ditë me radhë ndërsa ditën e tetë u bë tubimi, si është përcaktuar.