Të gjithë kapitujt

Osea · Kapitulli 4

II. FAJET E NDËSHKIMET E IZRAELIT, Prishja e gjithmbarshme, etj.

19 vargje

II. FAJET E NDËSHKIMET E IZRAELIT

Prishja e gjithmbarshme

1»Dëgjojeni fjalën e Zotit, bijtë e Izraelit, sepse Zoti është në gjyq me banorët e tokës: Sepse mbaroi besa, dashuri më s’ka, përmbi tokë s’ka më njohje të Zotit!

2Mallkim e rrenë, vrasje, vjedhje e pabesnikëri vërshuan e gjaku gjakun e zë!

3Këndej toka rënkon, banorët e saj po meken bashkë me egërsirat e malit, me shpendët e qiellit, do të cofin madje edhe peshqit e detit!

Kundër priftërinjve

4Askush të mos paditë, askush të mos kundërshtojë, kundër teje, o prift, e qita padinë!

5Ti po marrakotesh ditën, natën po rrëzohet edhe profeti me ty: nënën tënde do ta zhbij!

6Populli im po mbaron prej padijeje. Pse ti e përbuze dijen, do të të përbuz për priftërinë time, e pse e ke harruar Ligjin e Hyjit tënd, bijtë e tu edhe unë do t’i harroj.

7Aq sa janë kundër meje - mëkatuan: nderin e tyre, në çnderim do ta kthej!

8Ushqehen me mëkat të popullit tim, e për të mëkatuar shpirtin ua përkrahin.

9Një fat do të kenë populli e prifti: do ta paguajnë sjelljen e vet, do të shpaguhen për veprat e veta!

10Do të hanë, por nuk do të ngihen, do të fëlligështojnë, por nuk do të shtohen, sepse e lanë Zotin duke mos e nderuar.

Nderimi i Izraelit është idhujtari e shfrenim

11Fëlligështia, vera e pija lënë pa mend.

12Një cung druri e pyet për këshill populli im, por përgjigjen po m’ia kthen shkopi! Ua mor mendtë shpirti i fëlligështisë, e lënë Hyjin për të bërë lavirësi!

13Mojeve të maleve po flijojnë, majeve të kodrave kem djegin, nën qarr e plep edhe tërbjesh, sepse e mirë është hija e tyre! Këndej lavire u bënë bijat tuaja, rejat tuaja shkelin kurorën.

14S’do t’ua ndëshkoj bijat për lavirësi, as rejat tuaja nëse e shkelin kurorën, pasi ata vetë po shkojnë me lavire e bashkë me lavire në tempull po flijojnë: prej të pamendëve populli sharron!

Qortim Judës e Izraelit

15Nëse bën fëlligështi ti, o Izrael, së paku Juda të mos mëkatojë! Ruaj se shkoni në Galgalë, mos u ngjitni në Betaven, mos u përbeni me Zotin e gjallë!

16Porsi lopa kryeneçe, Izraeli kryeneç u bë. A do të mund t’i kullotë Zoti porsi qengjat në vend të pathurur?

17Me idhuj u lidh Efraimi, hiqu tij!

18Kaloi në zdërhadhjet e tyre, bëri fëlligështi e fëlligështi por më shumë për vete bëri turpësi e fëlligështi.

19I mbart era mbi krahët e vet, do të kenë marre për flitë e veta.