Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 102

Lutja në fatkeqësi

29 vargje

Lutja në fatkeqësi

1Lutja e të mjerit të rënë ngushtë që derdh ankthin e vet para Zotit.

2O Zot, dëgjoje lutjen time e britma ime le të mbërrijë tek ti.

3Mos e fsheh fytyrën tënde para meje në ditën time të vështirë, prire veshin tënd drejt meje: kurdo të të thërras më dëgjo shpejt!

4Sepse ditët e mi po zhduken si tymi, e eshtrat e mia po digjen si zjarri.

5Zemra po më thahet si bari i kositur e po harroj të ha edhe bukën time.

6Prej gjëmave të mia të mëdha u bëra asht e lëkurë.

7U bëra i ngjashëm me pelikanin në shkretëtirë, u bëra porsi kukuvajka në rrënoja.

8Rri zgjuar e rënkoj porsi trumcaku qyqevetëm mbi pullaz.

9Gjithë ditën më fyejnë armiqtë e mi, kur më zemërohen, e nëmin emrin tim.

10Ha hi porsi bukë, e pijen time e përziej me lot.

11Për shkak të zemërimit të felgrimit tënd, sepse më lartësove e më mposhte.

12Ditët e mia janë porsi hija e zgjatur e unë u thava porsi bari.

13Por ti, o Zot, qëndron për amshim, prej breznie në brezni Emri yt.

14Ngrihu, ki dhembje për Sionin: ka ardhur koha të kesh mëshirë për të - pikërisht tani është koha!

15Sepse shërbëtorët e tu i duan gurët e tij e u dhembet edhe pluhuri i tij.

16Paganët do ta druajnë Emrin tënd, o Zot, të gjithë mbretërit e tokës lavdinë tënde.

17Sepse Zoti e ndërtoi Sionin, u dëftua në lavdinë e vet.

18E mori parasysh lutjen e të vobektëve dhe nuk e përbuzi lutjen e tyre.

19Le të shënohet kjo për brezninë e ardhshme dhe populli që do të vijë le ta lavdërojë Zotin.

20Sepse Zoti shikon nga Shenjtërorja e vet e lartë, nga qielli ai vrojton mbi tokë,

21për ti dëgjuar ofshamat e robërve, për t’i shpëtuar të dënuarit me vdekje,

22që në Sion të shpallet Emri i Zotit e lavdia e tij në Jerusalem,

23kur të mblidhen së bashku popujt e mbretëritë për t’u vënë në shërbimin e Zotit.

24Udhës mi shpenzove fuqitë e mia, ditët m’i shkurtove. Do të them: “Hyji im,

25mos më rrëmbe në gjysmën e ditëve të mia, vitet e tua zgjasin nga breznia në brezni.

26Që në fillim themelove Tokën edhe qielli është vepër e duarve të tua.

27Këto do të mbarojnë ndërsa ti mbetesh për amshim, gjithçka do të vjetrohet si petku. Ti i shndërron porsi veshjet e zhduken,

28kurse ti i vetmi je gjithmonë i njejtë, - vitet e tua kurrë nuk kanë të sosur.

29Fëmijët e shërbëtorëve të tu do të jetojnë në paqe, pasardhësit e tyre do të qëndrojnë para teje.”