Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 103

Hyji është dashuri

22 vargje

Hyji është dashuri

1I Davidit. Bekoje, shpirti im Zotin, dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

2Bekoje, shpirti im Zotin, e mos i harro bamirësitë e tija.

3Ai i fal të gjitha fajësitë e tua, Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;

4Ai ta shpëton jetën prej varrit, ai të kurorëzon me mirësi e dashuri,

5me të mira ti mbush vitet e tua: do të përtërihet si shqiponjës rinia jote.

6Zoti bën veç vepra të mira, u jep të drejtën atyre që pësojnë padrejtësi.

7Synimet e veta ia zbuloi Moisiut, bijve të Izraelit veprat e veta.

8Zoti është i mirë e i mëshirshëm, i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.

9Nuk zemërohet gjithherë as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.

10Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona.

11Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë, aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që i druajnë.

12Sa është lindja larg perëndimit aq larg i hedh prej nesh fajet tona.

13Sikurse baba ka dhimbje për fëmijët e vet, ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë.

14Sepse mirë e di si jemi të përbërë, s’e harron se ne jemi pluhur.

15Njeriu! Ditët e tija janë porsi bari: porsi lulja e fushës lulëzon,

16sa e prek era e më s’është, më s’e kujton as vendi i vet.

17Vetëm dashuria e Zotit është prej amshimit e në amshim mbi ata që e druajnë

18dhe drejtësia e tij mbi bijtë e njerëzve, mbi ata që e mbajnë besëlidhjen e tij dhe i kujtojnë urdhërimet e tij për t’i zbatuar.

19Zoti e forcoi fronin e vet në qiell, mbretëria e tij mbizotëron të gjithë.

20Bekojeni Zotin, të gjithë engjëjt e tij, ju të fortët nga fuqia, që kryeni urdhrat e tij, duke i dëgjuar urdhrat e tij.

21Bekojeni Zotin, të gjitha ushtritë e tija, shërbëtorët e tij që zbatoni vullnetin e tij.

22Bekojeni Zotin, të gjitha veprat e Zotit, në çdo vend të sundimit të tij! Shpirti im, bekoje Zotin!