Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 104

Himn Hyjit Krijues

35 vargje

Himn Hyjit Krijues

1Bekoje, shpirti im, Zotin! O Zot, Hyji im, sa i madh je! I veshur me madhëri e me bukuri,

2i mbështjellë me dritë porsi me petk! E ngreh qiellin porsi tendë,

3mbi ujëra ndërton banesat e tua. Retë i bëre karrocë për vete, ecën mbi krahët e erës!

4Erërat i bën lajmëtarë të tu, zjarrin zharitës shërbëtorë të tu.

5Tokën e vendose mbi qëndrueshmërinë e saj, nuk do të lëkundet në shekuj të shekujve.

6E mbulove si me petk me ujërat e humnerave, majat e maleve i mbulonin ujërat:

7Ti u kërcënohesh e ato tërhiqen, dridhen nga zëri i bubullimës sate:

8ngjiten në male, zbresin në lugina drejt vendit që ti u cakton:

9u ke vënë cakun që sguxojnë ta kalojnë, që përsëri të mos e mbulojnë tokën.

10Burimet ti i kthen në përrenj, rrjedhin përmes malesh;

11ato ngijnë ujë të gjitha kafshët e pyllit, ua shuajnë etjen gomarëve të egër.

12Përskaj tyre banojnë zogjtë e ajrit, degë më degë ia thonë këngës së vet.

13Ti i ujit malet nga pallatet e tua, toka ngihet me frytet e duarve të tua.

14Ti bën të mbijë bar për kafshë, bimë të tjera të nevojshme për njeriun, për të nxjerrë prej tokës bukën

15e verën që gëzon zemrën e njeriut, që me vaj ta lyejë fytyrën e që buka t’ia kërkthndezë njeriut zemrën.

16Ngihen me ushqim lëndët e Zotit, cedrat e Libanit që ai vetë i mbolli.

17Në ta trumcakët i ndërtojnë çerdhet, lejlekët banesën e bëjnë në majat e tyre.

18Malet e larta strehim u japin shutave, e shpellat vjedullave banesën.

19Për të shënuar stinët ka krijuar hënën edhe diellin që e njeh përëndimin e vet.

20Shtrin errësirën e bëhet natë: nëpër të enden egërsirat e pyllit.

21Këlyshët e luanit ulërijnë pas presë e Hyjit i kërkojnë ushqim për vete.

22Kur lind dielli ata tërhiqen e struken në strofujt e vet.

23Atëherë del njeriu për të vepruar për t’i kryer punët deri në mbrëmje.

24Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua! Të gjitha i ke bërë me urti të madhe: plot është toka me krijesat e tua.

25Ja, këtu deti i madh, i hapët e i gjerë, atje zvarranikë saqë numri s’u dihet, kafshë të vogla të përziera me të mëdha!

26Nëpër të kalojnë anijet, Leviatani që ti e krijove për të luajtur me të!

27Të gjitha këto presin me shpresë që t’u japësh ushqim në kohën e duhur.

28Po u dhe ti ato mbledhin, kur ti e hap dorën tënde, mbushen me një mijë të mira.

29Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen, po ua more frymën, ato ngordhin dhe kthehen në pluhur përsëri.

30Po e dërgove frymën tënde, përsëri përtërihen dhe e rinon fytyrën e dheut.

31E amshueshme qoftë lavdia e Zotit, u gëzoftë Zoti në veprat e veta!

32E shikon tokën dhe e bën të dridhet, i prek malet e i bën të tymojnë.

33Do ti këndoj Zotit në jetën time, do ta lavdëroj Hyjin derisa të jem gjallë.

34I pëlqeftë Zotit kënga ime, kënaqësinë time e kam vënë në Zotin!

35U zhdukshin mëkatarët nga faqja e dheut e keqbërës askurrë më mos pastë mbi tokë! Bekoje, shpirti im, Zotin!