Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 105

Historia e mrekullueshme e Izraelit

45 vargje

Historia e mrekullueshme e Izraelit

1ALELUJA! Lavdëroni Zotin e thirreni në ndihmë Emrin e tij shpallni mes popujsh veprat e madhërueshme të tijat!

2Këndoni, luani në vegla muzikore për nder të tij, kujtoni të gjitha mrekullitë e tija!

3Mburruni me Emrin e tij të shenjtë: le të galdojë zemra e atyre që e kërkojnë Zotin.

4Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij, kërkojeni gjithmonë fytyrën e tij!

5T’ju bien në mend mrekullitë që bëri, mrekullitë e tija dhe gjyqet e gojës së tij:

6ju fara e Abrahamit, shërbëtorët e tij, ju, o bijtë e Jakobit, të zgjedhurit e tij!

7Ai është Zoti, Hyji ynë, mbi mbarë tokën gjyqet e tija!

8Ai se harron Besëlidhjen e vet askurrë, premtimin që ua bëri një mijë breznive,

9lidhjen që e bëri me Abrahamin dhe përbetimin që i bëri Izakut.

10Premtimin e vet e ngriti ligj për Jakobin, për Izraelin e bëri testament të përhershëm

11kur tha: “Ty do të ta jap tokën Kanaan, për pronë tuajën që ju ra me short!”

12Kur ende ishin pak me numër, krejtësisht të paktë dhe endacakë në të,

13kur kalonin nga një komb në një tjetër, nga një mbretëri në një popull tjetër,

14nuk lejoi njeri tu bëjë keq dhe i ndëshkoi mbretërit për shkak të tyre:

15“Mos i prekni të shuguruarit e mi, mos u bëni asnjë të keqe profetëve të mi!”

16Ai e grishi urinë përmbi dhe, ua sosi të gjitha rezervat e bukës.

17Para tyre dërgoi një njeri: Jozefin e shitur skllav.

18I qitën në pranga këmbët e tija, në qafë i mbërthyen hekurat,

19ditët kalonin e profecia iu plotësua, fjala e Zotit i dha të drejtë.

20Mbreti urdhëroi të zgjidhej prej prangash, kryetari i popujve, e çliroi.

21E bëri zot shtëpie të shtëpisë së vet, kujdestar përmbi pasurinë e vet,

22princat e mbretit ti mësonte sipas urtisë së vet, pleqtë e tij t’i udhëzonte në urti.

23Atëherë Izraeli hyri në Egjipt, Jakobi banoi në tokën e Kamit.

24Zoti bëri të shtohet populli i vet, e bëri më të fortë se armiqtë e tij.

25Ua shndërroi zemrën ta urrenin popullin e tij, të silleshin me dredhi kundër shërbëtorëve të tij.

26Atëherë dërgoi Moisiun, shërbëtorin e vet, edhe Aronin, të zgjedhurin e vet.

27Me anë të tyre bëri mrekullitë e veta, shenja të mrekullueshme në dheun e Kamit.

28Çoi errësirën dhe u bë terr, por ata kundërshtuan fjalët e tija.

29Ujët e tyre e shndërroi në gjak dhe i mbyti peshqit e tyre.

30Vendin ua mbuluan bretkosat, depërtuan edhe në pallatet e mbretit.

31Tha Zoti dhe i mbuluan mori mizash, mushkonjat ua mbuluan krejt vendin.

32Në vend të shiut u dërgoi breshër, rrufe të zjarrta mbi vendin e tyre.

33U copëtoi vreshta dhe fiq, ua theu drurët në tokën e tyre.

34Ai urdhëroi dhe ia behën karkalecat, e me ta edhe veme të panumëruara.

35Ua hëngrën të gjitha bimët e tokës, i përpinë të gjitha prodhimet e tokës së tyre.

36I vrau të gjithë të parëlindurit e vendit të tyre, frytin e parë të fuqisë lindëse të tyre.

37I nxori izraelitët me argjend e ar, në fiset e tyre nuk kishte asnjë të sëmurë.

38U gëzua Egjipti kur ata e lëshuan vendin, sepse i kishte tmerruar frika e tyre.

39E shtriu renë për ti mbrojtur edhe zjarrin për t’u bërë dritë natën.

40U lutën dhe u dërgoi shkurta dhe i ngiu me bukë të ardhur prej qiellit.

41Çau shkëmbin e buroi uji, rrodhën lumenj nëpër shkretëtirë.

42Sepse i ra ndër mend fjala e vet e shenjtë që ia dha Abrahamit, shërbëtorit të vet.

43E nxori popullin e vet me brohori plot gëzim të zgjedhurit e vet.

44Ua dha tokat e paganëve trashëguan djersën e popujve të ndryshëm,

45për ti mbajtur urdhërimet e tija e për t’i ruajtur ligjet e tija. ALELUJA!