Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 107

LIBRI V /Psalmet 107-150/, Hyji e shpëton njeriun nga çdo rrezik, etj.

43 vargje

LIBRI V /Psalmet 107-150/

Hyji e shpëton njeriun nga çdo rrezik

LIBRI V

1ALELUJA! Lavdërojeni Zotin sepse është i mirë, sepse e amshueshme është dashuria e tij.

2Le të thonë të shpërblyerit prej Zotit, që i çliroi nga kthetrat e armikut

3dhe i bashkoi nga vendet e ndryshme nga ku lind dielli e ku perëndon, nga veriu e nga ana e detit.

4U endën në shkretëtirë, në vend të thatë, nuk e gjetën udhën drejt qytetit të banimit.

5Të uritur e të etur shpirti i tyre ishte mekur në ta!

6Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.

7Ai i nxorri në udhën e drejtë që të shkonin në qytetin e banimit.

8Le t’ia dinë për nder Zotit për dashurinë e tij, për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve,

9që ngiu shpirtin e të eturit, e mbushi me të mira shpirtin e të uriturit.

10Banonin në errësirë e në hijen e vdekjes, të lidhur në mjerim edhe në pranga,

11sepse kishin kundërshtuar urdhrin e Hyjit dhe kishin përbuzur këshillën e të Tejetlartit.

12Prandaj zemrën ua mposhti me vuajtje, rrëzoheshin e s’kishte kush t’u ndihmonte.

13Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.

14I nxori nga errësira dhe nga hija e vdekjes e i këputi zinxhirët e tyre.

15Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij, për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve,

16sepse i theu dyert e bronzta dhe i këputi shulat e hekurt.

17Të marrë për shkak të jetës së paudhë, të mjeruar pse ndoqën udhën e mëkatit,

18shpirtit të tyre iu neverit çdo ushqim, arritën në dyert e vdekjes.

19Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.

20E dërgoi fjalën e vet dhe i shëroi, i shpëtoi nga gropa e varrit.

21Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të mëshirës të tij, për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve,

22le ti flijojnë flinë e lavdit, me hare le t’i shpallin veprat e tija!

23Ata që me anije lundruan deteve që nëpër ujëra të mëdha të bënin tregti,

24ata i panë veprat e Zotit, mrekullitë e tija në thellësitë e detit.

25Ai urdhëroi dhe u ngrit era e stuhisë, lart u ngritën valët e stuhishme.

26Ngrihen deri në qiell, zbresin deri në humbnerë: shpirti i tyre mekej prej së keqes.

27Çohu e rrëzohu si të ishin të dehur, asgjë s’u ndihmonte mjeshtëria e tyre.

28Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin, Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.

29Stuhinë e shndërroi në puhi e valët e detit e shuan gjëmën e vet.

30Iu gëzuan qetësimit të valëve, ai i nxorri në portin e dëshiruar.

31Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të dhembshurisë së të tij, për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve,

32le ta madhërojnë në kuvendin e popullit, le ta lavdërojnë në kuvendin e pleqve.

33Ai i shndërroi lumenjtë në shkretëtirë, në vende të thata burimet e ujërave,

34tokën e pëlleshme në këneta për shkak të veprave të këqija të banorëve.

35Shndërroi shkretëtirën në liqen me ujëra, tokën e thatë e begatoi me burime të gjalla.

36Aty i vendosi njerëzit e munduar nga uria, dhe themeluan qytetin e banimit.

37Mbollën arat e vunë vreshtat dhe u prodhuan fryte me shumicë.

38Zoti i bekoi e ata u shumuan fort, as grigjat e tyre nuk u pakësuan.

39Pastaj qenë dhjetuar e munduar nga vuajtjet edhe nga dhembjet.

40Ai që e shfryn përbuzjen mbi princa, i la të enden rrugë pa rrugë në shkretëtirë.

41I shpëtoi skamnorët nga mjerimi dhe i shumoi si grigjat familjet.

42Shohin të drejtët e le të gëzohen, kurse mbrapshtia le ta mbyllë gojën e vet.

43Kush është i mençur le ti kujtojë këto, do ta shohë mirësinë e Zotit.