Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 115

I vetmi Hyji i vërtetë

18 vargje

I vetmi Hyji i vërtetë

1Jo neve, o Zot, jo neve, por Emrit tënd jepi lavdi për nder të mëshirës sate e të besnikërisë sate.

2Pse të thonë paganët: “Ku është Hyji i tyre”?

3Hyji ynë është në qiell, ai bën gjithçka i pëlqen.

4Idhujt e paganëve janë argjend e ar - prodhim i dorës së njeriut.

5Gojë kanë e nuk flasin, sy kanë e nuk shohin,

6veshë kanë e nuk dëgjojnë, hundë kanë e nuk nuhasin.

7Duar kanë e nuk prekin, këmbë kanë e nuk ecin, - zë nuk qesin prej gurmazit të tyre!

8Të tillë qofshin edhe ata që i punojnë, të gjithë ata që shpresojnë në ta!

9Shtëpia e Izraelit shpreson në Zotin: Ai është ndihma dhe mburoja e tyre.

10Shtëpia e Aronit shpreson në Zotin: Ai është ndihma dhe mburoja e tyre!

11Kush e druan Zotin në Zotin shpreson: Ai është ndihma e mburoja e tij!

12Zotit i bie ndër mend për ne e do të na bekojë: do ta bekojë shtëpinë e Izraelit, do ta bekojë shtëpinë e Aronit;

13do ti bekojë të gjithë ata që e druajnë Zotin, si të vegjëlit ashtu të mëdhenjtë.

14Bëftë Zoti e u shumofshi ju vetë e fëmijët tuaj!

15Ju bekoftë Zoti, Krijuesi i qiellit e i tokës!

16Qielli është qielli i Zotit, kurse tokën ua dhuroi njerëzve.

17Jo, nuk janë të vdekurit që të lavdërojnë, o Zot, dhe asnjë prej atyre që zbresin në Heshtim,

18por ne që jetojmë, ne e bekojmë Zotin tani e përgjithmonë e jetës.