Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 31

Lutja në ditë të vështirësisë

25 vargje

Lutja në ditë të vështirësisë

1Mjeshtrit të korit. Psalm. I Davidit.

2Në ty, o Zot, shpresoj: mos lejo të turpërohem për amshim, më liro me drejtësinë tënde.

3Prire drejt meje veshin tënd, nxito të më shpëtosh! Ji për mua qetë shpëtimi, kështjellë mbrojtjeje!

4Sepse forca ime e strehimi im ti je: pashë Emrin tënd më pri e më sundo.

5Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, sepse ti je fuqia ime.

6Në duar të tua po e porosis shpirtin tim, më shpërble, o Zot, Hyji besnik.

7Ti i urren shërbëtorët e idhujve të rremë, ndërsa unë shpresën e kam në Zotin.

8Me gëzim do ti brohoris mirësisë sate se ti shikove me dhimbje mbi mjerimin tim, ti i ndihmove shpirtit tim në ditë të ngushtë;

9nuk më dorëzove në thonjt e armiqve të mi, hapave të mi u prive rrugës së shpëtimit.

10Ki mëshirë për mua, o Zot, se ndodhem në ngushtim të madh! Vuajtjet m’i ligështuan sytë e mi, shpirtin edhe trupin.

11Jeta më sharroi në dhembje e vjetët më kaluan në dënesë, fuqia më mbaroi nga mundi e eshtrat m’u thanë.

12Në sy të armiqve të mi u bëra tallje, për fqinjë i mërzitshëm e për të njohur tmerr. Ata që më shohin përjashta, ikin prej meje.

13Më harruan njerëzit porsi të kisha vdekur, u bëra porsi enë e thyer.

14Dëgjo pëshpëritjet e të shumëve: tmerr në çdo anë: bëjnë mbledhje kunder meje, pleqërojnë si të ma marrin jetën.

15E pra, o Zot, unë në ty jam i sigurt, unë them: “Ti je Hyji im,

16në duart e tua fati im”! Më shpëto prej duarve të armiqve të mi dhe prej atyre që më salvojnë.

17Kthjelloje fytyrën tënde ndaj shërbëtorit tënd: më shpëto me mëshirën tënde.

18O Zot, unë nuk do të turpërohem se ty të thirra në ndihmë, por u turpërofshin keqbërësit dhe u plandosshin në Nëntokë!

19U thafshin buzët gënjeshtare, që flasin kundër të drejtit ashpër, me krenari dhe plot përbuzje.

20Oh, sa e madhe është mirësia jote, o Zot, të cilën e ruan për ata që të druajnë, e ke përgatitur për ata që shpresojnë në ty në sy të bijve të Adamit.

21Ti i fsheh në strehën e fytyrës sate larg nga ngatërresat e njerëzve, i strehon në Tendën tënde larg nga gjuhët ngatërrestare.

22Qoftë bekuar Zoti që më pajisi me mirësi të mrekullueshme në qytet të fortë!

23Ndërsa në vështirësinë time mendoja: “I përjashtuar jam prej syve të tu!”, por ti e dëgjove zërin e lutjes sime kur drejt teje lëshova kushtrimin.

24Duani Zotin, të gjithë shenjtërit e tij: ai i ruan besimtarët e vet, por edhe atë që vepron me madhështi Zoti e shpaguan sipas meritave.

25Merrni zemër e kini guxim të gjithë ju që shpresoni në Zotin.