Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 32

Kush i pranon fajet, Zoti e liron nga mëkati

11 vargje

Kush i pranon fajet, Zoti e liron nga mëkati

1I Davidit. Maskil. Lum ai që iu fal mëkati, që iu mbulua faji!

2Lum ai njeri që Zoti nuk e numëron ndër mëkatarë, në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi.

3Pse heshta, eshtrat mu kalbën prej dënesës së vazhdueshme,

4sepse ditën, natën dora jote rëndonte mbi mua, fuqia më lëshonte porsi në vapë të verës.

5Atëherë ta dëftova mëkatin tim, fajin tim më nuk e fsheha. Thashë: “Do t’ia rrëfej Zotit fajin tim”, e ti ma fale fajësinë e mëkatit tim.

6Prandaj le të lutet çdo besimtar në kohë të përshtatshme, kur të vërshojnë ujërat e shumta, atë s’do ta zënë.

7Ti je strehimi im, ti më ruan prej vështirësisë, do të më rrethosh me këngë gëzimi.

8Do të të bëj të ditur, do të ta mësoj rrugën që duhet ndjekur, sytë e mi do t’i përqëndroj mbi ty.

9Mos u bëni si kali e mushku që nuk kanë mend. Për ta lypset kapistër e fre për t’i sunduar, përndryshe s’do të afroheshin tek ti.

10Shumë vështirësi e rrethojnë keqbërësin, atë që shpreson në Zotin e rrethon hiri.

11Gëzohuni në Zotin e galdoni, o të drejtë, brohoritni të gjithë ju që jeni zemërpastër.