Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 33

Himn Provanisë

22 vargje

Himn Provanisë

1Galdoni, o të drejtë në Zotin, të drejtëve u ka hije lavdërimi!

2Lavdërojeni Zotin me kitarë, bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!

3Këndoni atij një këngë të re, përcilleni bukur me cetër brohoritjen!

4Sepse e drejtë është fjala e Zotit e të gjitha veprat e tija me besë.

5E do drejtësinë e gjyqin, plot është toka me mirësinë e Zotit.

6Prej fjalës së Zotit u krijuan qiejt, prej frymës së gojës së tij çdo trup qiellor;

7si në rrëshiq i mbledh ujërat e detit, oqeanet i qet në ujëmbledhës.

8Le të dridhet mbarë Toka para Zotit, të gjithë banorët e rruzullit le të tuten para tij!

9Sepse ai foli - gjithçka u bë, ai urdhëroi - gjithçka u përftua!

10Zoti i shpartallon synimet e popujve, i pështjellon qëllimet e kombeve.

11Synimi i Zotit qëndron për amshim, mendimet e zemrës së tij prej breznie në brezni.

12Lum ai komb që për Hyj e ka Zotin, populli që Zoti e zgjodhi për pronë.

13Zoti shikon nga qielli e i sheh të gjithë bijtë e njerëzve.

14Prej vendit të vet të shenjtë i shqyrton të gjithë banorët e tokës,

15ai që të gjithëve ua ka krijuar zemrat e i kupton të gjitha veprat e tyre.

16Nuk shpëton mbreti në saje të ushtrisë së madhe, as vigani në saje të fuqisë së madhe.

17Kot e pret fitoren nga kali, fuqia e tij e madhe nuk do ta shpëtojë.

18Ja, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:

19për ti shpëtuar nga vdekja e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

20Shpirti ynë shpreson në Zotin, ai është ndihma dhe mburoja jonë.

21Zemra jonë në të e ka shpresën, shpresojmë në Emrin e tij të shenjtë.

22Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sikurse ne shpresojmë në ty.