Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 38

Lutja në ngushtim

23 vargje

Lutja në ngushtim

1Psalm. I Davidit. Në kujtim.

2Mos më qorto, o Zot, në hidhërimin tënd as mos më ndëshko në zemërimin tënd!

3sepse shigjetat e tua në mua u ngulën, mbi mua rëndoi dora jote.

4S’ka vend të shëndoshë në trupin tim për shkak të zemërimit tënd, s’ka paqe në eshtrat e mi për shkak të mëkateve të mia.

5Sepse fajet e mia kaluan mbi kokën time, më ndrydhin porsi barra e rëndë.

6U qelbën dhe u kalbën plagët e mia për shkak të marrëzisë sime,

7u kërrusa dhe u gërmuqa për së tepërmi, i trishtueshëm endem gjithë ditën.

8Digjen prej etheve ijet e mia, asgjë në trupin tim nuk kam të shëndoshë.

9I lodhur e i këputur krejtësisht gjëmoj prej dënesës së zemrës sime.

10Para teje, o Zot, i vë dëshirat e mia as britmat e mia nuk janë për ty të fshehta,

11zemra më rreh dhe fuqia më lëshoi edhe drita e syve të mi po fiket.

12Miqtë e shokët e mi u zmbrapsën para plagëve të mia edhe më të afërmit e mi më rrinë larg.

13Më ngrehin leqe ata që kërkojnë jetën time, më kërcënohen me vdekje ata që ma dëshirojnë të keqen, gjithë ditën përbluajnë dredhi kundër meje.

14E unë si i shurdhët nuk dëgjoja, si të isha i pagojë, një fjalë nuk e them,

15u bëra njëmend si ai që nuk ndien, si ai që në gojë përgjigje s’ka.

16Pasi në ty, o Zot, e kam vënë shpresën, o Zot, Hyji im, ti do të më dëgjosh.

17Sepse thashë: “Deh, mos lejo të ngihen në mua, kur të më merren këmbët, të mos krenohen kundër meje”.

18E unë jam i gatshëm për tu rrëzuar, dhembjen time përherë e kam para syve.

19Ja, unë e pranoj fajin tim, jam i prishur për mëkatin tim.

20E armiqtë e mi janë gjallë e të fortë, u shumuan ata që më urrejnë dijekeqas.

21Të mirën ma kthejnë me të keqe e më shpifen pse mundohem të bëj mirë.

22Mos më lër vetëm, o Zot, Hyji im, mos u largo prej meje.

23Nxito të më ndihmosh, o Zot, Shëlbuesi im.