Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 58

Gjykatësi i gjykatësve tokësorë

12 vargje

Gjykatësi i gjykatësve tokësorë

1Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Mos shkatërro...” E Davidit. Poemë.

2Vallë njëmend flisni të drejtën, o pushtetmëdhenj, me drejtësi i gjykoni bijtë e njerëzve?

3Përkundrazi! Me mendje përbluani gënjeshtrën, duart tuaja mbi tokë përgatisin dhunën!

4E lanë rrugën që në ngjizje mëkatarët, e gabuan rrugën që prej kraharorit të nënës rrenacakët.

5Janë të helmuar porsi shlligëzat, porsi kapastreci i shurdhët që i mbyll veshët

6të mos e dëgjojë zërin e shortarit, zërin e magjistarit që është mjeshtër të magjepsë.

7Ti, o Hyj, thyeju dhëmbët në gojën e tyre, copëtoju nofullat luanëve, o Zot!

8Le të derdhen si uji që rrjedh, le të thahen si bari që shkelet!

9Si kërmill që shkrihet në jargë u bëfshin, si dështaku i gruas që s’e sheh diellin!

10Para se vegshat tuaj ta ndiejnë flakën e krandeve, gjallë i përvëloftë flaka e hidhërimit!

11Do të kënaqet i drejti kur ta shohë hakmarrjen, këmbët e veta do t’i lajë në gjakun e mëkatarit,

12Njerëzit do të thonë: “Ka shpërblim për të drejtin, po, është Hyji që gjykon mbi dhe”!