Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 77

Përsiatje mbi të kaluarën e Izraelit

21 vargje

Përsiatje mbi të kaluarën e Izraelit

1Mjeshtrit të korit. Sipas Iditunit. I Asafit. Psalm.

2Drejt Zotit e ngrita zërin tim, drejt Hyjit e çova zërin: Ai më dëgjon.

3Në ditët e vështira unë e kërkoja Hyjin, natën drejt tij i lartësoj duart e mia e nuk lodhem, por shpirti im nuk gjen ngushëllim,

4më bie në mend Hyji dhe ofshaj, e kujtoj e më pakësohet fryma.

5Hapur mi mban qepallat e syve të mi, i tronditur jam e nuk mund të flas.

6Mendoj ditët e kaluara, më bien në mend vitet e lashta.

7Mendoj natën në zemrën time, përsiat dhe shpirti im shqyrton:

8Vallë, për amshim Hyji ka hequr dorë, dhe kurrë, thua, më s’do të ketë mëshirë?

9A thua përgjithmonë u zhduk mëshira e tij, premtimi i tij mbaroi, vallë, përgjithmonë?

10Ndoshta harroi Hyji të ketë dhembje, i zemëruar thua kufi i vuri mëshirës së vet?

11Dhe thashë: “Ja, plaga ime: është shndërruar e djathta e Tejetlartit”.

12Në mend me bien veprat e Zotit, i kujtoj mrekullitë e tua që prej fillimit.

13Me mend i përbluaj të gjitha veprat e tua, meditoj mbi veprat e tua të larta.

14O Hyj, të shenjta janë udhët e tua, cili hyj është i madh si Hyji ynë?

15Vetëm ti je Hyji që bën mrekulli, mbi popujt ti e tregove fuqinë tënde.

16Me të dhjathtën tënde ti e shpërbleve popullin tënd, bijtë e Jakobit e të Jozefit.

17Të panë ujërat, o Hyj, të panë ujërat e u zmbrapsën, u trazuan deri edhe humnerat!

18Riguan retë ujëra, dhanë retë gjëmët e veta shigjetat e tua fluturuan!

19Bubullima jote jehoi në stuhi, vetëtimat shndritën rruzullin e tokës, u tund toka dhe u trondit!

20Nëpër det udha jote, shtigjet e tua nëpër ujëra të mëdha, gjurmët e tua askush nuk i njeh.

21Porsi grigjës i prive popullit tënd, me dorë të Moisiut e të Aronit.