Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 78

Mësimi që jep historia e Izraelit

72 vargje

Mësimi që jep historia e Izraelit

1Poemë. E Asafit. Dëgjoje me kujdes, populli im, mësimin tim, vëru vesh fjalëve të gojës sime.

2Po e hap gojën time për të mësuar me shëmbëlltyra, do t’ju tregoj fshehtësi të kohëve të shkuara.

3Ato që dëgjuam e mësuam, çka na treguan etërit tanë,

4nuk do ti fshehim para fëmijëve të tyre, do t’i kalojmë gojë më gojë në breznitë e ardhshme lavditë e Zotit e mrekullitë e tija, veprat e bindshme që ai bëri.

5Ai e ngriti Dëshminë në Jakobin, dhe e vuri Ligjin në Izrael, që çfarë u urdhëroi etërve tanë ato t’ua shpallin fëmijëve të vet,

6që breznia e ardhshme ti ketë të njohura, që fëmijët që të lindin t’ua tregojnë fëmijëve të vet:

7që ta mbështetin shpresën e vet në Hyjin, të mos i harrojnë veprat e Hyjit e t’i mbajnë urdhërimet e tija.

8E të mos bëhen si etërit e tyre - brezni kryengritëse dhe e padëgjueshme, brezni e paqëndrueshme në zemër e me shpirt të pabesë ndaj Hyjit.

9Bijtë e Efraimit, luftëtarë me hark, ditën e përleshjes kthyen shpinën e ikën.

10Nuk e mbrojtën Besëlidhjen e Hyjit, e nuk deshën të ecin udhëve të tija.

11I harruan veprat e tija, mrekullitë e tija që ua dëftoi.

12Në sy të etërve të tyre bëri mrekulli, në tokën e Egjiptit, në fushën Taneos.

13E ndau detin dhe ata i kaloi, i ndali ujërat si të ishin në rrëshiq.

14Ditën u printe me re, e gjithë natën me zjarr ndriçues.

15Në shkretëtirë qetën e plasi dhe u dha të pinë si nga humnera e pafund:

16nga shkëmbi nxori përrenj, bëri të rrjedhë uji si lumë.

17Por ata gjithnjë vazhduan të mëkatojnë kundër tij, i kundërshtuan të Tejetlartit në shkretëtirë,

18Hyjin e tunduan në zemrat e veta duke kërkuar ushqim për grykësinë e vet.

19Nynykatën kundër Hyjit e thanë: “A është i zoti Hyji të shtrojë tryezë në shkretëtirë?”

20“Ja, shkëmbit i ra e rrodhi ujë, gurgulluan përrenjtë! A mund të japë edhe bukë e mish për popullin e vet?”

21Dëgjoi Zoti dhe u zemërua, zjarr u ndez kundër Jakobit, flakë u ndez hidhërimi kundër Izraelit,

22sepse nuk besonin në Hyjin, nuk shpresonin në shpëtimin e tij.

23Kështu u urdhëroi reve prej së larti, i hapi pendët e qiellit,

24porsi shi e lëshoi manën për ushqim, u dha bukë nga qielli:

25njeriu hëngri bukë engjëjsh, u dha ushqim me mbushulli.

26Pastaj në qiell e zgjoi erën e lindjes, me pushtet të vet bëri të fryjë shiroku,

27bëri të bjerë mbi ta mish thuajse pluhur, shpend me pupla porsi rëra e detit:

28ranë mes tëbanishtes së tyre, përreth çadrave të tyre.

29Hëngrën dhe u ngopën, ua plotësoi dëshirën.

30Ende plotësisht nuk ishin ngirë, ende ushqimin e kishin në gojë,

31kur ja, zemërimi i Hyjit u ndez kundër tyre, i kositi me vdekje më të fortët e tyre, i vrau të zgjedhurit e Izraelit.

32Megjithatë - vazhduan të mëkatojnë dhe nuk besuan në veprat e mrekullueshme të tijat.

33Ditët e tyre i zhduku si avullin, vitet e tyre kaluan me ngutësi.

34Kur i vriste, atëherë e kërkonin e përsëri ktheheshin tek Hyji;

35u binte në mend se Hyji është strehimi i tyre, Hyji i tejetlartë Shëlbuesi i tyre.

36Porse prapë e gënjenin me gojën e tyre, e rrenin me gjuhën e vet:

37zemra e tyre nuk ishte me të, besë nuk kishin në Besëlidhjen e tij.

38E Ai, i mëshirshëm, e falte fajin, në vend që të shkatërronte, shpeshherë e ndalte zemërimin e vet e nuk ndizej në furinë e vet.

39I binte në mend se janë njerëz të ligshtë - avull që shkon e nuk kthehet.

40Sa herë e hidhëruan në shkretëtirë, sa herë e zemëruan në vise të pabanuara!

41Prapë e prapë e ngacmonin Hyjin, e trishtonin Shenjtin e Izraelit

42duke mos e kujtuar dorën e tij të pushtetshme, ditën kur i shpëtoi nga armiku,

43as mrekullitë që i bëri në Egjipt, as veprat e mrekullueshme që i bëri në fushën Taneos.

44Kur lumenjtë i shndërroi në gjak dhe përrenjtë e tyre që të mos mund të piheshin.

45Dërgoi mbi ta gretha që ti thernin dhe bretkosa që ti sosnin.

46Të korrat e tyre ua dha karkalecave, vemjeve mundin e tyre.

47Me breshër ua rrënoi vreshtat, e me brymë manat e tyre.

48Me breshër ua shfarosi bagëtinë, me rrufe ua vrau grigjat.

49Lëshoi mbi ta zjarrin e zemërimit të vet, hidhërimin, urrejtjen dhe vuajtjet, dërgesë engjëjsh që u sollën të keqen.

50I rrafshoi udhën zemërimit të vet, nuk ua kurseu jetën prej vdekjes, jetën e tyre në dorë ia lëshoi kolerës.

51I vrau të gjithë të parëlindurit e Egjiptit, frytin e parë të fuqisë së tyre në çadrat e Kamit.

52Porsi dele prej andej e nxori popullin e vet, i priu porsi grigjës nëpër shkretëtirë.

53U printe me kujdes pa farë frike, kurse armiqtë e tyre deti i kapërdiu.

54I çoi në Tokën e vet të shenjtë, në bjeshkën që pushtoi e djathta e tij.

55Para tyre i dëboi paganët, tokën e tyre me litar ua ndau për pronë, në çadrat e tyre i vendosi fiset e Izraelit.

56E ata prapë e ngacmuan dhe e hidhëruan Hyjin e tejetlartë, nuk ia mbajtën urdhërimet e tija.

57u shmangën, nuk i mbajtën besën si etërit e tyre, u kthyen mbrapsht porsi harku i prishur.

58E hidhëruan me lartësirat e tyre, dhe e ngacmuan me gdhendjen e idhujve.

59Dëgjoi Hyji dhe u ndez në hidhërim, për së tepërmi iu ndy Izraeli.

60E lëshoi banesën Silo, tendën ku banonte në mes të njerëzve.

61Fuqinë e vet e la të bjerë në robëri, nderin e vet në duar të armiqve.

62Popullin e vet ia dorëzoi shpatës, kundër pronës së vet u ndez tërë hidhërim.

63Djelmoshat e tyre i përpiu zjarri, vajzat e tyre s’patën me kë të martoheshin.

64Ranë prej shpatës priftërinjtë e tyre, e vejushat e tyre nuk i vajtuan!

65E u ngrit, si kush zgjohet nga gjumi, Zoti, si luftëtari kur kllapia e verës e lëshon,

66e tu ra pas shpine armiqve, i mposhti një herë e përgjithmonë.

67E përjashtoi tendën e Jozefit, nuk e zgjodhi fisin e Efraimit.

68por zgjodhi fisin e Judës, malin e Sionit që e ka për zemër.

69Të lartë si qiellin e ndërtoi Shënjtëroren, porsi tokën e themeloi për amshim.

70Zgjodhi Davidin, shërbëtorin e vet, e hoqi nga grigjat e deleve,

71prej pas delesh nëna atë e mori të kullotë Jakobin, popullin e vet, Izraelin, trashëgimin e vet!

72Ky i udhëhoqi me zemër të përsosur dhe u priu me dorën e vet të vyer.