Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 79

Vajtim kombëtar

13 vargje

Vajtim kombëtar

1Psalm. I Asafit. O Hyj, e pushtuan paganët pronën tënde, e dhunuan Tempullin tënd të shenjtë, Jerusalemin e bënë një grumbull rrënojash!

2Ua dhanë kufomat e shërbëtorëve të tu për ushqim shpendëve të qiellit, mishin e shenjtërve të tu bishave të malit.

3Gjakun e tyre e derdhën si ujë përreth Jerusalemit e s’kishte kush t’i varroste!

4U bëmë çnderim ndër sy të fqinjëve tanë, përqeshje e lojë për ata që i kemi përreth.

5Po deri kur, o Zot? A do të rrish përgjithmonë i hidhëruar? Do të digjet si zjarri zemërimi yt?

6Shfreje hidhërimin tënd mbi paganët që nuk të njohin, mbi mbretëri, që nuk të thërrasin në ndihmë

7se e përlanë Jakobin dhe e shkatërruan selinë e tij!

8Mos i kujto fajet e etërve tanë, le të na vijë në ndihmë sa më parë mëshira jote, sepse jemi bërë tepër të mjerë.

9Na ndihmo, o Hyj, Shëlbuesi ynë, për nder të Emrit tënd e na çliro: pashë nderin e Emrit tënd na i fal fajet!

10Pse të thonë paganët: “Ku është Hyji i tyre”? Le ta pranojnë ndër sy tanë paganët hakmarrjen e gjakut të derdhur të shërbëtorëve të tu.

11Le të arrijë tek ti gjëma e të robëruarve, me fuqinë e krahut tënd shpëtoji të dënuarit me vdekje.

12Mbi zemrën e fqinjëve tanë ktheje shtatëfish dhunën që ta bënë ty, o Zot.

13E ne, populli yt - delet e kullotës sate, do të të lavdërojmë për amshim, do ta shpallim nga brezi në brez lavdinë tënde.