Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 88

Lutje në ditën e ngushticës së madhe, Uratë në ditën e ngushticës së madhe

19 vargje

Lutje në ditën e ngushticës së madhe

Uratë në ditën e ngushticës së madhe

1Këngë. Psalm. I bijve të Koreut. Mjeshtrit të korit. Me melodi: “Sëmundja”. Këngë mësimi. E Eman Ezrahitit.

2O Zot, Hyji i shpëtimit tim, ditë e natë jap kushtrim para teje.

3Le të mbërrijë te ti lutja ime, vëru vesh dënesave të mia.

4Sepse shpirti im është plot me vuajtje, jeta ime është në grykën e varrit;

5po më mbajnë me ata që zbresin në gropë, jam porsi ai për të cilin s’ka më ndihmë:

6i lirë si ata që vdiqën, porsi të vrarët që pushojnë në varre, të cilët ti më nuk i kujton, që janë shkëputur nga dora jote.

7Më plandose në shpellë pa fund, në errësirë e në hijen e vdekjes.

8Zemërimi yt rëndon mbi mua, valët e tua i hodhe mbi mua.

9Prej meje i largove të njohurit e mi, për ta më bëre të jem i neveritshëm, jam i mbyllur, jashtë s’mund të dal,

10prej mjerimit sytë e mi po shteren. Gjithë ditën në ndihmë të thërras, o Zot, duart e mia drejt teje i shtrij.

11Vallë për të vdekur bën ti mrekulli? A thua hijet ngrihen për të lëvduar?

12Flet ndokush për mirësinë tënde në varr, për besën tënde në vendin e shkatërrimit?

13Në errësirë njihen mrekullitë e tua, në vend të harresës drejtësia jote?

14E unë, o Zot, prej teje kërkoj ndihmë, lutja ime në mëngjes mbërrin para teje.

15Pse, o Zot, e përbuz shpirtin tim? Përse fytyrën tënde e fsheh para meje?

16I mjerë jam dhe vdes që prej fëmijërisë sime, më këputi barra e tmerrimeve të tua.

17Përmbi mua kaluan hidhërimet e tua, përdhe më shtruan provat e tua!

18Më kanë rrethuar pa pushim si uji, grumbullohen mbi mua njëheresh.

19Mi largove miq e të afërm, bëj shoqëri veç me errësirën.