Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 89

Himn e lutje Hyjit besnik

53 vargje

Himn e lutje Hyjit besnik

1Poemë. E Etan Ezrahitit.

2Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj, brez pas brezi goja ime do të shpallë besnikërinë tënde.

3Sepse the: “Hiri im qëndron për amshim”, në qiell është e themeluar besnikëria jote!

4“Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:

5Farën tënde do ta ruaj për amshim, froni yt do të qëndrojë brez pas brezi.”

6Qiejt i këndojnë veprat e tua, o Zot, kuvendi i shenjtërve besnikërinë tënde!

7E kush ndër re është i barabartë me Zotin? Kush është i ngjashëm ndër zota me Zotin?

8I tmerrshëm është Hyji në kuvendin e shenjtërve, i madh e i përfrigueshëm mbi të gjithë ata që i rrinë përreth.

9O Zot, Hyji i ushtrive, kush është si ti? I pushtetshëm je, o Zot, e besnikëria të rrethon!

10Ti zotëron krenarinë e detit, ua ul kokën valëve të tërbuara.

11Ti e copëtove Rahabin dhe e shqelmove, me krah të fuqishëm armiqtë i shpërndave.

12Yti është qielli, jotja është toka, ti e krijove tokën dhe gjithçka ajo përmban.

13Veriun e jugun ti i krijove, Tabori e Hermoni i brohoritin Emrit tënd.

14Krahu yt është plot fuqi, e fortë është dora jote, e lartësuar e djathta jote!

15Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd, dashuria dhe e vërteta gjithkund të shkojnë përpara.

16Lum ai popull që di të brohoritë, që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot!

17Përherë do të gëzojë në Emërin tënd, e do të mburret në drejtësinë tënde.

18Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre e me hirin tënd rritet fuqia jonë.

19Sepse i Zotit është shqyti ynë, mbreti ynë i Shenjtit të Izraelit!

20Dikur, në një vëgim, fole me miqtë e tu e u the: “Trimit të trimit ia dhashë ndihmën time, e lartësova një djalosh nga populli.

21Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, e leva me vajin tim të shenjtë.

22Dora ime gjithmonë do të jetë me të, dhe krahu im përherë do ta kërthndezë.

23Armiku askurrë nuk do të ngadhënjejë mbi të, i paudhi nuk do të mund ta ndrydhë.

24Unë do ti thyej para tij armiqtë e tij, do ti shfarosë kundërshtarët e tij.

25Besa ime dhe mëshira ime do të jenë me të, në saje të Emrit tim do t’i rritet pushteti.

26Dorën e tij do ta shtrij mbi det, të djathtën e tij përmbi lumenj.

27Ai do të më thërrasë: Ati im, Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!,

28kurse unë do ta bëj të Parëlindurin tim, më të madhin ndër mbretërit e tokës.

29Për të gjithmonë do ta ruaj mëshirën, Besëlidhjen me të kurrë s’do ta thyej.

30Trashëgiminë e tij do ta bëj të amshueshme, fronin e tij porsi ditët e qiellit.

31Nëse bijtë e tij e lënë Ligjin tim, e në mos ecshin ligjeve të mia,

32po nuk zbatuan vendimet e mia, po i shkelën urdhërimet e mia,

33me thupër do ti ndëshkoj mëkatet e tyre, me frushkull të rreptë paudhësitë e tyre.

34Por nuk do ta këpus dashurinë me të as nuk do ta prish besnikërinë time.

35Nuk do ta thyej besëlidhjen time as s’do t’i zhbëj premtimet e mia.

36Një herë u përbetova me shenjtërinë time: Askurrë Davidin nuk do ta lë në gënjeshtër!

37Fara e tij do të qëndrojë për amshim, froni i tij para meje si dielli,

38do të qëndrojë për amshim si hëna, dëshmitare besnike mbi re”.

39Por tani e flake dhe e përbuze, u zemërove kundër të shuguruarit tënd.

40E prishe Besëlidhjen me shërbëtorin tënd, në llum e hodhe kezën e tij.

41I rrënove të gjitha muret e tija, rrënoja të frikshme kështjellat e tija.

42Pre po e bëjnë gjithsa udhës kalojnë, për të gjithë fqinjët u bë i neveritshëm.

43E lartësove të djathtën e armiqve të tij, i gëzove të gjithë armiqtë e tij.

44Tykë ia bëre tehun e shpatës së tij, e nuk deshe në luftë t’i jepje ndihmë.

45I dhe fund shkëlqimit të tij, e përdhe fronin ia rrëzove.

46Ia shkurtove ditët e rinisë, e mbulove me poshtërim e turp.

47Po deri kur, o Zot, do të fshihesh kështu, flakë do të ndizet hidhërimi yt?

48Të të bjerë në mend sa e shkurtër është jeta ime! Vallë, thua kot i krijove njerëzit?

49Kush i gjallë vdekjen s’do ta shohë, prej Nëntokës kush do ta shpëtojë jetën?

50Ku janë, Zot, mëshirat e dikurshme të tuat që me be ia premtove Davidit?

51Të shërbëtorëve të tu, Zot, kujto çnderimin; në zemër e mbaj poshtërimin e paganëve,

52që na bënë armiqtë e tu, o Zot, çnderojnë gjurmët e të shuguruarit tënd.

53Qoftë bekuar Zoti për amshim. Amen! Amen!