Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 91

Nën mbrojtjen hyjnore

16 vargje

Nën mbrojtjen hyjnore

1Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.

2Do ti thotë Zotit: “Strehimi im, kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të”.

3Sepse Ai do të të çlirojë nga laku i gjahtarëve dhe nga fjala dijekeqe.

4Do të të bëjë hije me krahët e vet do të strehohesh nën fletët e tija, shqyt e pancir e vërteta e tij.

5Nuk do të frikësohesh prej tmerrit të natës, as prej shigjete që fluturon ditën,

6as prej murtaje që shëtit në errësirë, as prej shfarosjes që shkretëron në mesditë.

7Le të bien me mijëra rreth teje, dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, ty nuk do të të ndodhë asgjë!

8Porsa ti me sy të vetëtish, shpagimin e mëkatarit do ta shikosh!

9Pasi Zoti është mburoja jote dhe e zgjodhe të Tejetlartin për strehimin tënd,

10e keqe nuk do të të gjejë, dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:

11sepse engjëjve të vet urdhër u dha të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.

12Do të të mbartin para duarsh që padashje të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.

13Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec, do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.

14“Do ta shpëtoj sepse më do, do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.

15Ai do të më thërrasë e unë do ti ndihmoj, në vështirësi do të jem me të, do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.

16Do ti dhuroj jetë të gjatë, do t’ia tregoj shëlbimin tim”.