Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 92

Këngë e të drejtit

16 vargje

Këngë e të drejtit

1Psalm. Këngë. Për të shtunën.

2Është punë e mirë ta lavdërosh Zotin, ti këndohet Emrit tënd, o Zot i tejetlartë.

3Të shpallim dashurinë në mëngjes e gjatë natës bësnikërinë tënde,

4me harpë dhjetëkordash e me lirë, me këngë përcjellë me cetër.

5Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua, kënaqem për veprat e duarve të tua.

6Sa të madhërishme janë veprat e tua, o Zot, sa të thella mendimet e tua!

7Njeriu i pamend nuk i di, dhe i marri nuk do t’i kuptojë.

8Po edhe në mbifshin mëkatarët porsi bari, e në lulëzofshin ata që bëjnë keq, janë të caktuar për bjerrje të pasosur,

9vetëm ti je i Tejetlartë për amshim, o Zot!

10Sepse ja, o Zot, armiqtë e tu, sepse ja, o Zot, armiqtë e tu do të birren, do të shpërndahen të gjithë keqbërësit.

11Ti ma rrite fuqinë porsi të buallit, më shugurove me më të pastrin vaj.

12Prej së larti i shikon syri im ata që më urrejnë, veshët e mi pa tronditje i dëgjojnë kundërshtarët e mi.

13I drejti lulëzon si palma, rritet porsi cedri i Libanit.

14Të mbjellë në Shtëpinë e Jakobit lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.

15Japin fruta edhe në pleqëri, janë të kërthndeztë e plot shëndet,

16për të shpallur se Zoti është i drejtë: Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!