Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 94

Hyji i drejtësisë

23 vargje

Hyji i drejtësisë

1O Zot, Hyji shpagues, dëftohu, o Hyji shpagues!

2Çohu, Gjykatësi i dheut, shpaguaji madhështorët!

3Deri kur mëkatarët, o Zot, deri kur do të galdojnë mëkatarët?

4Do të shpotisin e do të flasin me përbuzje, do të krenohen ata që bëjnë paudhësi?

5E poshtërojnë popullin tënd, o Zot, e shtypin pronën tënde,

6vrasin vejushën e ardhacakun, mbysin bonjakët

7e thonë: “Zoti nuk sheh, s’di gjë Hyji i Jakobit”!

8Merrni vesh, o marrashat e popullit, ju, o të marrë, kur do të zini mend?

9Ai që krijoi veshin nuk do të dëgjojë? Ai që përftoi syrin nuk do të shohë?

10Ai që qorton popujt nuk do të ndëshkojë, ai që ia mëson njeriut dijen?

11Zoti i di mendimet e njërëzve: ato janë të zbrazëta!

12Lum ai njeri që ti e mëson, o Zot, të cilit ti ia mëson Ligjin tënd,

13për ti dhënë paqe në ditë fatzeza ndërkohë që keqbërësit ti hapet gropa.

14Sepse Zoti nuk e përbuz popullin e vet, as s’do të heqë dorë nga prona e vet,

15sepse e drejta do ti jepet drejtësisë e pas saj do të shkojnë të gjithë zemërmirët.

16Kush do të ngrihet për mua kundër keqbërësve? Kush do të qëndrojë bashkë me mua kundër të paudhëve?

17Po të mos e kisha pasur në ndihmë Zotin, përpak shpirti im do të banonte në vendin e Heshtjes!

18Kur unë kujtoja: “Më rrëshqiti këmba!”, dashuria jote, o Zot, ma ngjiti dorën!

19Kur në shpirtin tim grumbullohen vështirësitë, ngushëllimet e tua ma gëzojnë zemrën.

20A mund të shoqërohet me ty selia e paudhësisë që stërhollon ligjin për të krijuar mjerim?

21Sulen kundër jetës së të drejtit e dënojnë gjakun e pafajshëm.

22Por Hyji u bë kështjella ime, Hyji është Qeta ku unë strehohem,

23do ti shpaguajë sipas paudhësisë së tyre, me të keqen e tyre ai do ti shfarosë, farën do t’ua tresë Zoti, Hyji ynë.