Të gjithë kapitujt

Romakëve · Kapitulli 9

Hyji dhe populli i zgjedhur, Zemërimi dhe mëshira e Hyjit, etj.

33 vargje

Hyji dhe populli i zgjedhur

1Them të vërtetën në Krishtin - nuk rrej - dëshmitare e kam ndërgjegjën time bashkë me Shpirtin Shenjt:

2ndiej në zemër një trishtim të madh dhe dhimbje të vazhdueshme.

3Po, do të dëshiroja unë vetë të isha i mallkuar, i ndarë prej Krishtit, në vend të vëllezërve të mi, në vend të bashkëkombëtarëve të mi për kah gjaku.

4Këta janë izraelitët! Atyre u përket adoptimi, Lavdia, Besëlidhjet, Ligji, kulti, premtimet;

5të tyre janë edhe patriarkët, prej tyre, si njeri, është edhe Krishti, i cili është mbi çdo gjë, Hyji i bekuar në shekuj. Amen.

6Por kjo s’do të thotë se fjala e Hyjit shkoi hupës: sepse nuk janë izraelitë të vërtetë të gjithë ata që rrjedhin prej Izraelit.

7Po as nuk janë të gjithë fëmijë të Abrahamit vetëm pse rrjedhin prej tij. Pse u tha: ‘Pasardhësit e tu të vërtetë do të jenë ata që rrjedhin prej Izakut.’

8Që do të thotë: nuk janë bijtë e Hyjit ata që lejnë me lindje natyrore, por - vetëm bijtë e premtimit numërohen për trashëgimtarë.

9Dhe njëmend, ja, fjala e premtimit: ‘Në këtë kohë do të vij dhe Sara do të ketë djalin.’

10Madje jo vetëm kaq! Edhe Rebeka mbeti shtatëzënë me një njeri të vetëm - me Izakun, atin tonë,

11e binjakët ende nuk ishin lindur - pra, nuk kishin pasur kur të bëjnë as mirë as keq - por, që i pashlyeshëm të mbetej vendimi i zgjedhjes së lirë i Hyjit, jo në bazë të veprave, por të vullnetit të Atij që thërret -

12i qe thënë: ‘Djali i madh do t’i shërbejë të voglit’,

13sikurse shkruan: ‘Jakobin e desha, Ezaun e urreva.’

14Çka të themi atëherë? A mos ka padrejtësi te Hyji? Mos o Zot!

15Sepse ai i thotë Moisiut: ‘Do të kem mëshirë për atë që dua të kem mëshirë, do të kem dhimbje për atë që dua të kem dhimbje.’

16Kështu, pra, nuk është puna e atij që do ose e atij që sulet, por e Hyjit që bën mëshirë.

17Sepse Shkrimi shenjt i thotë faraonit: ‘Pikërisht për këtë gjë të ngrita që ta dëftoj në ty fuqinë time dhe që të shpallet Emri im gjithkund mbi mbarë dheun.’

18Kështu, pra, Hyji ka mëshirë për atë që do, e bën kokëfortë atë që do.

Zemërimi dhe mëshira e Hyjit

19Por atëherë do të më thuash: Pse [atëherë] ankohet? Kush është ai që mund t’i kundërshtojë vullnetit të tij?

20O njeri, e kush je ti që do të hysh në rragatje me Hyjin? A thua se ena ka të drejtë t’i thotë mjeshtrit: ‘Përse më bëre të tillë?’

21Po a thua s’ka të drejtë vorbëtari mbi argjil, që prej të njëjtës baltë të punojë një enë për përdorim bujar e një tjetër për përdorim jo bujar?

22Po çka, nëse Hyji, duke dashur të dëftojë zemërimin dhe të shpallë pushtetin e vet i mbarti me duresë të patregueshme enët e zemërimit, të gatshme për t’i zhdukur,

23me qëllim që ta bënte të njihej pasuria e lavdisë së tij kundrejt enëve të mëshirës, të cilat qysh më parë i bëri gati për lumturi,

24kundrejt nesh, të cilëve na grishi jo vetëm nga hebrenjtë, por edhe nga paganët?

25Kështu edhe në librin e Ozesë, thotë: ‘Një popull që s’ka qenë imi, do ta quaj,

Populli im:

kombësinë që s’ka qenë e dashura ime, do ta quaj:

E dashura.’

26Po edhe në vend ku u qe thënë: ‘Ju nuk jeni populli im’, do të quhen bijtë e Hyjit të gjallë.’

27Edhe Isaia shprehet lidhur me Izraelin: »Edhe pse, bijtë e Izraelit do të jenë shumë si rëra e detit - Teprica do të shëlbohet;

28sepse Zoti do ta plotësojë krejtësisht e me gatishmëri fjalën e vet mbi tokë.’

29Isaia ka parafolur edhe kështu: »Po të mos na e kishte ruajtur Zoti i Gjithësisë farën, do të ishim bërë si Sodoma, Gomorrës do t’i kishim përngjarë.«

Izraeli dhe Ungjilli

30Çka të themi atëherë? Paganët që nuk e kërkuan drejtësinë, e fituan drejtësinë - mendoj drejtësinë që vjen prej fesë-;

31ndërsa Izraeli, që kërkon një farë Ligji që mund të japë drejtësinë, i kaloi përbri.

32Përse? Sepse drejtësinë nuk e priti prej fesë, por mendonte se do të rridhte nga veprat.

33Zunë në thua në gurin e pengesës, sikurse është në Shkrim shenjt: ‘Ja po vë në Sion gurin e pengesës dhe qetën në të cilën thyhet qafa. Porse ai që të besojë në të, nuk do të turpërohet.’