Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 13

Shoqërohu me të barabartë

32 vargje

Shoqërohu me të barabartë

1Kush përket pëshkven, prej saj zhytet; po edhe kush shoqërohet me krenarin, vishet me krenari.

2Barrë më të rëndë sesa mund ta çosh mos merr, as mos u bëj shok me më të ndershëm e më të pasur se ti.

3Pse të rrinë bashkë fulterja e vegshi? Sepse, kur të ndeshen, do të thyhet.

4Pasaniku bën padrejtësi e turfullon, ndërsa skamnori, edhe i fyer, kërkon ndjesë.

5Nëse i je i dobishëm, të shfrytëzon, por, nëse ke nevojë, të braktis.

6Nëse ke ndonjë të mirë, bashkëjeton me ty, të rrëmben çka ke e s’është më në kujdes për ty.

7Nëse do të ketë nevojë për ty, do të të gënjejë e, duke u qeshur, do të japë shpresë me fjalë të mira e do të thotë: “Për çka ke nevojë?”

8E do të të turpërojë me gosti kremtore, deri që të të shfrytëzojë dy a tri herë e në fund do të të vërë në lojë. Kur pastaj do të të shohë, do të shmanget e do të luajë me kokë para teje.

9Përvujtërohu para Hyjit e shpreso prej dorës së tij.

10Kujdesu të mos lejosh të shfrytëzohesh e të mposhtesh për shkak të marrisë sate.

11Mos ji i përvuajtur në urtinë tënde, që të mos përvujtërohesh e të gënjehesh në budallallëkun tënde.

12po të thirri ndonjë i madh, rri larg, dhe aq më tepër do të të thërresë.

13Mos u fur që të mos përbuzesh, por as tepër larg mos i rri, që të mos harrohesh.

14Mos i jep vetes liri të flasësh me të si me të barabartë, as mos u beso fjalëve të tija të shumta; me fjalë të shumta ai do të vërë në provë dhe, duke u qeshur, t’i zbulon edhe zorrët.

15Njeri i pashpirt është e i mban mend fjalët e tua: s’do t’i kursejë as të këqijat as prangat.

16Ruaju e ki kujdes për çka dëgjon, sepse po bën rrugë me rrënimin tënd!

17Kur ti dëgjosh këto fjalë, zgjohu nga gjumi.

18Me gjithë jetën tënde duaje Hyjin e thirre atë për shpëtimin tënd.

19Çdo kafshë e do llojin e vet: kështu edhe njeriu shokun e vet.

20Çdo gjallesë bashkohet me llojin e vet, kështu edhe njeriu me të ngjashmit e vet.

21Çpunë ka bisha me qengjin? Kështu edhe mëkatari me të drejtin.

22Si përkojnë hiena e qeni? Ose ç’pjesë mes pasanikut e skamnorit?

23Gomari në shkretëtirë - gjahu i luanit, kështu edhe kullota e të pasurve janë skamnorët.

24Sikurse krenari e ka inat përvujtërinë, kështu i iritet edhe pasanikut skamnori.

25Pasaniku nëse rrëzohet, mbahet prej miqve të tij, ndërsa nëse bie skamnori, përbuzet edhe prej të njohurve.

26Rrëshqet pasaniku, shumë i vijnë në ndihmë, në foltë marrëzira, patjetër e përligjin.

27Po ra i varfri, përmëtepër e qortojnë; në foltë fjalë të urta, askush s’ia vë veshin.

28Flet pasaniku, të gjithë heshtin, dhe fjalën e tij e ngrenë deri në re.

29Flet skamnori, pyesin: “Kush është ky?”, e nëse pengohet, i japin edhe shtytjen.

30E mirë është pasuria për atë që s’ka mëkat në ndërgjegje, tejet i keq skami sipas fjalës së të paudhëve.

31Zemra ia ndërron pamjen njeriut o në të mirë o në të keq.

32Fytyra e gëzueshme është shenja e zemrës së mirë, vështirë do ta gjesh e me mund të madh.