Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 14

Lumturia e vërtetë, Smira e koprracia, etj.

27 vargje

Lumturia e vërtetë

1I lumi ai që nuk ka gabuar me fjalë e që nuk e mundon trishtimi i fajit.

2I lumi ai që nuk e dënon shpirti i vet e që nuk e ka lënë shpresa e vet.

Smira e koprracia

3Njeriu dorështrenjtë kot e ka pasurinë e njeriut koprrac çka i duhet ari?

4Kush është dorështrenjtë për vetvete, grumbullon për të tjerët, me të mirat e tija një tjetër do të gostitet.

5Kush është i keq për vetvete, për kë do të jetë i mirë? Ai s’di t’i gëzojë as të mirat e veta.

6S’ka gjë më të keqe se ai që ia ka smirë vetvetes, ky është shpërblimi i ligësisë së tij.

7Po edhe në qoftë se bën mirë, e bën pa dije e pa dashur dhe në fund e dëfton keqësinë e vet.

8Syri i koprracit është i keq, ai e shmang shikimin dhe i urren njerëzit.

9Sngihet syri i lakmimtarit me pjesën e vet deri sa e than dhe e shkrin jetën e vet.

10Syri lakmues koprrac sulet mbi bukë dhe mbi tryezën e tij mungon.

11Bir, nëse ke, mos e lër veten keq e Hyjit kushtoji fli të denja.

12Mos harro se vdekja s’do të vonojë dhe vendimi i Nëntokës nuk të është zbuluar; vendimi i kësaj bote: vdekja e sigurt.

13Para se të vdesësh bëji mirë mikut dhe sipas mundësisë sate ji me të bujar.

14Mos ia moho vetes një ditë të lume e mos e lër pa gëzuar as një pjesëz të dëshirës së mirë.

15Pse a s’do tua lësh të tjerëve frytet e mundit tënd, e mundin tënd a s’do ta ndajnë me short?

16Dhuro e merr e gëzoje shpirtin tënd;

17para se të vdesësh bëje drejtësinë, sepse në Nëntokë s’ke pse e kërkon gëzimin.

18Çdo gjallesë vjetrohet si petku dhe porsi gjethi që del në pemë të njomë,

19njëri del e tjetri bie: kështu edhe breznitë mishit e gjakut, njëra mbaron e tjetra lind.

20Çdo vepër e shkatërrueshme do të mbarojë, me të mbaron edhe ai që e kryen,

21por çdo vepër e zgjedhur do të kursehet dhe ai që e kryen do të nderohet në të.

Lumturia e të urtit

22Lum njeriu që qëndron në urtinë, që në drejtësinë e vet kujton urtisht e që me mend e ka para sysh shikimin shqyrtues të Hyjit,

23që në zemrën e vet i mendon udhët e saja e që i kupton fshehtësitë e saja, që ecën pas saj porsi vëzhgues dhe ndalet në udhët e saja.

24Ai shikon nëpër dritaret e saja e përgjon në derën e saj,

25që pushon pranë shtëpisë së saj dhe e ngul gozhdën e vet në murin e saj: ndërton kaçorrin e vet përkrah saj e pushon në një strehim të mirash përgjithmonë.

26Fëmijët e vet i vë në mbrojtjen e saj e banon nën degët e saj.

27Mbrohet nën hijen e saj prej vapës e banon nën hijen e lavdisë së saj.