Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 15

Liria njerëzore, Mallkimi i të patenzonëve

22 vargje

1Kështu vepron ai që e druan Hyjin e kush është besnik ndaj Ligjit do ta fitojë urtinë.

2Urtia i del përpara porsi nëna e ndershme dhe e pret porsi gruaja e virgjër.

3E ushqen me bukë të jetës e të kuptimit, e ujon me ujë të urtisë shëlbimprurëse. Ai bëhet i patrandshëm në të e s’do të lëkundet,

4ka besim në të e nuk do të turpërohet. Ajo e lartëson atë përmbi shokët e tij

5dhe mes kuvendit gojën ia hap, e mbush me shpirt urtie e kuptimi dhe e vesh me petkun e lavdisë.

6E pajis me ëmbëlsi e me gëzim dhe e merr trashëgim emrin e përhershëm.

7Njerëzit e marrë kurrë s’do ta fitojnë, kurse njerëzit e mençur vetë i dalin në takim; mëkatarët s’do ta shohin me sy, sepse ajo rri larg nga krenaria e dredhia.

8Rrenacakëve as që u bie ndër mend për të, kurse dashamirësit e të vërtetës gjenden në të e do të përparojnë deri të shohin Hyjin.

9Lavdërimi i saj si ka hije gojës së mëkatarit,

10sepse nuk i ka qenë dhuruar prej Hyjit. Urtisë së Hyjit i takon lavdërimi dhe e thotë goja e të urtit dhe pronari i saj e mëson atë.

Liria njerëzore

11Mos thuaj: “Prej Hyjit është mëkati im!”, sepse çka Ai urren, kurrë nuk e bën.

12Mos thuaj: “Ai vetë më joshi!”, sepse Atij si duhen gjë mëkatarët.

13Hyji ka bezdi çdo poshtërsi, e urrejnë edhe të gjithë ata që e druan.

14Hyji që në fillim e krijoi njeriun e la në dorë të vullnetit të lirë dhe e lëshoi në dorë të dëshirimit të vet.

15I dha urdhrat e urdhërimet e veta dhe dijen për të kryer çka Atij i pëlqen.

16Nëse do ti mbash urdhërimet edhe ato të ruajnë; nëse ke besim në Të, edhe ti do të jetosh.

17Para ti vuri ujin e zjarrin, ku të duash, shtrije dorën tënde!

18Përpara njeriut jeta e vdekja, e mira dhe e keqja: çka ai të parapëlqejë, ajo do t’i jepet.

19Sepse e madhe është urtia e Hyjit, Ai është i madh në pushtet e pandërprerje sheh gjithçka.

20Sytë e Hyjit priren mbi ata që e druajnë, Ai i njeh të gjitha veprat e njeriut.

21Askujt si ka urdhëruar të jetë i patenzonë dhe askujt s’i ka dhënë leje të mëkatojë.

Mallkimi i të patenzonëve

22Mos dëshiro shumë fëmijë të patenzonë e keqbërës.