Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 17

Gjykatësi hyjnor, Ftesë për pendesë

31 vargje

1Hyji nga toka e krijoi njeriun dhe e krijoi në përngjasimin e vet.

2Përsëri njeriun e kthen në dhé dhe e veshi me fuqi si të veten.

3Ia dhuroi një numër ditësh e kohë të caktuar dhe i dha pushtet mbi gjithçka është mbi tokë.

4Bëri që çdo gjallesë ta ketë frikë njeriun, që të mbizotëronte mbi egërsira e mbi shpendë.

5U dha arsye, gjuhë, sy e veshë e zemër që të mund të gjykonin dhe i mbushi me dije e me urti.

6U dhuroi edhe dijen e shpirtit, me shqisa ua mbushi zemrën dhe ua tregoi të mirat e të këqijat.

7Në zemrat e tyre ua përftoi frikën ndaj tij që t’u dëftonte madhërinë e veprës së vet.

8U dha mundësinë të mburren në madhëritë e tija që ta lavdërojnë së bashku Emrin e tij të shenjtë e t’i shpallin madhëritë e veprave të tija.

9E u shtoi pastaj edhe dijen e u dhuroi Ligjin e jetës.

10E bëri Besëlidhje të amshueshme me ta e ua dëftoi drejtësinë e gjyqet e veta.

11Sytë e tyre panë madhërinë e lavdisë së tij e veshët e tyre dëgjuan zërin e tij të lavdishëm. E u tha: “Ruhuni nga çdo keqbërësi!”

12e i dha secilit urdhra në lidhje me të afërmin.

Gjykatësi hyjnor

13Udhët e tyre janë gjithmonë para tij: nuk janë të fshehta para syve të tij.

14Secilit popull i vuri kryetarin,

15kurse Izraeli është pjesa e Hyjit.

16Të gjitha veprat e tyre janë si dielli para tij e sytë e tij gjithnjë mbikqyrin nëpër udhët e tyre.

17Nuk mund të fshihen keqbërësitë e tyre, të gjitha mëkatet e tyre janë para syve të Hyjit.

18Veprat e dashurisë janë si vula para tij dhe e ruan si beben e syrit veprën e mirë të njeriut.

19Pastaj Ai do të ngritet e do ti shpërblejë duke bërë të bjerë shpërblimi i secilit mbi kokë të secilit.

20Atyre që pendohen u dha udhën e kthimit, u dha fuqi atyre që u mungon qëndresa dhe ua caktoi fatin e të vërtetës.

Ftesë për pendesë

21Kthehu kah Hyji e lëri mëkatet e tua,

22lutu para fytyrës së Hyjit e pusho me fyerje.

23Kthehu tek i Tejetlarti e largoju keqbërësisë sate dhe urreje paudhësinë.

24Njihi drejtësinë e gjyqet e Hyjit qëndro në shortin e gjendjes e të lutjes së Hyjit të tejetlartë.

25Të Tejetlartin kush do ta lavdërojë në Nëntokë në vend të të gjallëve që i këndojnë lavde Hyjit?

26Mos qëndro në gabimin e të patenzonëve: para se të vdesësh lavdëroje Hyjin, prej të vdekurit - si të mos ishte asgjë, mbaron lavdërimi.

27Lavdëro sa të jesh gjallë, gjallë e shëndosh lavdëro, lavdëroje Hyjin e mburru me dhembshurinë e tij!

28Sa e madhe është mëshira e Zotit, dhembshuria i tij për ata që kthehen tek Ai!

29Njerëzit nuk mund të kenë gjithçka, sepse biri i njeriut nuk është i pavdekshëm.

30Çka është më e ndritshme se dielli? Por edhe ai errësohet! Ose ç’është më e keqe se trillon mishi e gjaku? Edhe ky do të ndëshkohet!

31Zotynë mbikëqyr ushtritë e qiejve të lartë, e të gjithë njerëzit janë pluhur e hi.