Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 21

Mëkate të ndryshme, I urti e i marri

31 vargje

Mëkate të ndryshme

1Bir, ke mëkatuar? Mos e bëj më, e lutu për mëkatet e kaluara që të të falen.

2Si prej gjarpri ik para mëkateve, se, po iu afrove, do të të hanë!

3Dhëmbë luani janë dhëmbët e tyre: njerëzve ua marrin jetën.

4Shpatë me dy teha është çdo paudhësi: plagët e saja janë të pashërueshme.

5Tmerri e padrejtësia e zhdukin pasurinë, shtëpinë sado të pasur e shkreton krenaria: kështu asgjësohet pasuria e krenarit.

6Lutja e skamnorit prej gojës së tij arrin në veshët e Perëndisë dhe pa vonesë do t’i jepet e drejta.

7Kush e urren qortimin, ndjek gjurmët e mëkatarit, kurse kush e druan Hyjin, e pranon në zemër.

8Larg e larg njihet njeriu gjuhëgjatë, por i urti e di se do të rrëzohet.

9Kush ndërton shtëpinë e vet me para të huaja është si ai që mbledh gurë për dimër.

10Shtëllungë liri është mbledhja e të patenzonëve: mbaron në flakën e zjarrit.

11Udha e mëkatarëve është e shtruar me kalldrëm, por mbaron në humnerën e Nëntokës.

I urti e i marri

12Kush e mban ligjin, mbizotëron epshet,

13rrjedhoja e frikës së Zotit është urtia.

14Kush s’është i aftë nuk mund të bëhet i urtë,

15sepse ka mendjemprehtësi që shtohet me paudhësi dhe s’ka urti ku ka shqetësim hidhërimi.

16Dija e të urtit vërshon me shumicë, këshilli i tij është si burimi i jetës.

17Zemra e të marrit është si vegshi i thyer, s’e mban pikën e urtisë!

18Kur njeriu i mençur e ndjen një fjalë të urtë, e lavdëron dhe e shton një tjetër; kur e dëgjon një njeri epshor ndjen pakënaqësi dhe e hedh pas shpinës së vet.

19Biseda e të marrit porsi barra në udhëtim, kurse në buzët e të urtit gjendet kënaqësia.

20Fjala e njeriut të urtë kërkohet në mbledhje dhe për fjalët e tija përsiatet në zemër.

21Shtëpi e rrënuar është urtia e budallait, dija e të padijshmit e vetkuptueshme.

22Disiplina për budallain është si prangat në këmbë dhe si zinxhirët në dorën e tij të djathtë.

23I marri qeshet me zë të lartë, kurse njeriu i urtë bën buzën në gaz, në heshtje.

24Stoli ari për të urtin disiplina, byzylyk ari në dorën e djathtë të tij.

25Këmba e të marrit vrapon të hyjë në shtëpinë e të afërmit, kurse njeriu i njerëzishëm afrohet me njerëzi.

26I pamendi shikon nga dritare në shtëpinë e huaj, kurse i njerëzishmi pret përjashta.

27Njeriu i panjerëzishëm përgjon pas dere, kurse për të urtin është turp i madh.

28Buzët e fjalamanit flasin marri, kurse fjalët e të urtit janë mirë të peshuara.

29Zemra e të marrëve është në gojën e tyre, ndërsa goja e të urtëve është në zemrën e tyre.

30Kur i patenzoni mallkon kundërshtarin e vet, ai vetë e mallkon vetveten.

31Shpifësi përdhos vetveten e gjithkush e urren; po edhe ai që qëndron me të, bëhet i urrejtshëm, nderohet kush di të heshtë e është i arsyeshëm.