Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 29

Huaja, Lëmosha, etj.

31 vargje

Huaja

1Kush e vë në veprim mëshirën, i huazon të afërmit e kush ndihmon me dorë të vet, i mban urdhërimet.

2Huazoji të afërmit kur është në nevojë e prapë, ktheji të afërmit në kohën e caktuar.

3Mbaja fjalën e ji besnik e në çdo kohë do të gjesh çka ke nevojë.

4Shumë e çmojnë huanë si një gjë të gjetur e u sjellin hidhërim atyre që u ndihmuan.

5Deri sa ta marrë huanë, puth duart e dhënësit dhe me përvujtëri flet për pasurinë e të afërmit,

6por në kohën e kthimit e shtyn afatin, spushon duke u ankuar e nynykatur e fajin ia lë rrethanave të kohës.

7Nëse ka me se të kthejë, bën kundërshtime; mezi kthen gjysmën e gjësë dhe e çmon si një gjë të gjetur.

8Përndryshe ia han paret e kështu e bën atë armik pa nevojë.

9Ia kthen me të shara e me nëmë dhe, në vend të falënderimit, ia kthen me fyerje.

10Shumë nuk huazojnë jo prej zemrës së keqe, por tremben se kot së koti do të plaçkiten.

Lëmosha

11Megjithëkëtë, ji dorëdhënë me të mjerin e mos e lër të presë tepër gjatë lëmoshën tënde.

12Për arsye të urdhrit ndihmoje skamnorin dhe sipas nevojës së tij, mos e nis duarthatë.

13Hidhi paratë për dashuri të vëllait e të mikut e mos i fsheh të prishen nën gur.

14Vëre visarin tënd në urdhërime të Tejetlartit e do të të dalë më i dobishëm se ari.

15Mbylle lëmoshën tënde në zemrën e skamnorit dhe kjo do të shpëtojë prej të gjitha të këqijave.

18Më fort se shqyti i fortë e se heshta e rëndë do të luftojë për ty kundër armikut tënd.

Dorëzania

19Njeriu i mirë hyn dorëzanë për të afërmin e vet, kush e ka humbur turpin e lë pa i hyrë dorëzanë.

20Mos ia harro nderën dorëzanit, sepse e ka dhënë shpirtin e vet për ty.

22Mëkatari i shkon kottë mirat e dorëzanit njeriu i panjerëzishëm e harron shpëtuesin e vet.

24Dorëzania i ka fikur shumë njerëz të mirë dhe i ka tronditur porsi valët e detit.

25I ka nxitur prej shtëpie shumë njerëz të pasur dhe u endën nëpër popuj të huaj.

26Mëkatari që i shkel urdhërimet e Zotit bie në gabimin e dorëzanisë e pse synon të nxjerrë ndonjë dobi, bie në duar të gjykatësit.

27Hyr dorëzanë për të afërmin tënd sipas kamjes sate, por kujdesohu që edhe ti të mos sharrosh.

Mikpritja

28Të domosdoshmet themelore të jetës së njeriut janë: uji, buka, veshja dhe shtëpia për të mbuluar lakuriqësinë e turpshme.

29Më i mirë është ushqimi i skamnorit nën pullaz skublash, se gostitë e shkëlqyeshme në shtëpi të huaj.

30Ji i kënaqur me pak o me shumë e s’do ta sporvosh përbuzjen e endacakut.

31Jetë e keqe të endesh nga një shtëpi në tjetrën e, kudo të ndalesh, s’guxon të hapësh gojë as s’do të kesh besim.

32Do të pranohesh për mik, do të hash e do të pish, por pa nderim e për më tepër do të dëgjosh fjalë të hidhura:

33“Çohu, or mik, e shtroje tryezën e, nëse ke ndonjë gjë nëpër dorë, më jep të ha”!

34“Dil se më ka ardhur një më i nderueshëm! Ma lësho shtëpinë se ka nevojë për banim im vëlla”!

35Të rënda të gjitha këto për një njeri të mençur: poshtërimi për mikpritje e turpërimi për huadhënie.