Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 30

Edukimi, Shëndeti, etj.

27 vargje

Edukimi

1Për fëmijë. Kush e do djalin e vet, nuk i kursen thuprat me qëllim që një ditë të gjejë gëzim në të.

2Kush e edukon si duhet djalin e vet, do të ketë dobi prej tij, e do të mund të lavdërohet ndër të njohurit e vet.

3Kush e mëson mirë djalin e vet, e bën smirëzi armikun e vet.

4Nëse i vdes i ati, është si të mos ketë vdekur: e lë djalin porsi veten.

5Gjatë jetës së vet kënaqet duke e shikuar e ditën e vdekjes nuk sprovon shqetësim. Nuk pati pse t’i vijë turp para armiqve

6sepse e la mbrojtësin e shtëpisë së vet kundër armiqve e atë që di tua kthejë nderin miqve.

7Kush e përkëdhel djalin, do t’ia lidhë plagët e në çdo ofshamë të tij zemra do ti copëtohet.

8Kali i pamësuar bëhet tekanjoz e djali i përkëdhelur bëhet kokëfortë.

9Llastoje djalin e do të të shtijë frikën, luaj me të e do të të trishtojë.

10Mos qesh me të nëse dëshiron të mos qash me të e në fund të kërcashësh me dhëmbë.

11Mos i jep tepër liri në rini e mos i nënçmo gabimet e tija.

12Ulja zverkun e tij sa është i ri, shkundja ijet e tij sa është ende i vogël që të mos ngurohet për së tëpërmi e të mos të besojë e zemra do të sporvojë dhimbje për shkak të tij.

13Edukoje djalin e ki kujdes për të që të mos heqësh keq e të turpërohesh për shkak të tij.

Shëndeti

14Më mirë skamnor i shëndoshë e plot fuqi se i pasur e i dobët e i pashëndet.

15Shëndeti i shtatit është më i mirë se çdo ar e argjend dhe trupi i fuqishëm se pasuria e madhe pa masë.

16S’ka pasuri më të madhe se pasuria e shëndetit të trupit dhe s’ka gëzim më të madh se gëzimi i zemrës.

17Më e mirë është vdekja se jeta e hidhur dhe pushimi i pasosur se sëmundja e gjatë.

18Ushqimet e mira para gojës së mbyllur janë porsi gostitë e shtruara para varrit.

19Çka i vlen flia e njomjes idhullit? Sepse as s’e ha as nuk i merr erë:

20po ashtu edhe ai që e përndjek Zoti, duron pagën e paudhsisë:

21shikon me sy e ofshan si tredhaku që përqafon vajzën e ofshan.

Gëzimi

22Mos iu shtro trishtimit të zemrës sate e mos i shtjer trazim vetes me mendime të tua.

23Gëzimi i zemrës është jetë për njeriun, visar i pashtershmëm i shenjtërisë e kënaqja e njeriut jeta e gjatë.

24Mos e shqetëso shpritin tënd e gëzoje zemrën tënde, larg prej teje flake trishtimin.

25Shumëkënd e ka vrarë trishtimi e ai nuk sjell asnjë dobi:

26smira e zemërimi i shkurtojnë ditët e kujdesjet e tepruara plakin para kohe.

27Zemra e kthjellët e shijon ushqimin, ushqimi që merr i bën mirë.