Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 31

Pasuritë, Gostitë, etj.

42 vargje

Pasuritë

1Kujdesi i pasanikut trupin ia shkatërron, mendimet e tija gjumin ia humbasin.

2Kujdesi për jetesë e humb gjumin porsi sëmundja e rëndë që s’lë të flihet.

3Pasaniku lodhet duke bashkuar kamjen e, kur pushon, i gëzon të mirat.

4Skamnori lodhet pse s’ka me se të jetojë e, nëse pushon, bie në skamje.

5Kush jepet pas arit, pa mëkat smbetet, e kush vrapon pas fitimit, për shkak të tij do të birret.

6Shumë janë bjerrë për shkak të arit e rrënimi i tyre ishte përpara tyre.

7Është lak për ata që jepen pas tij, të mjerët ata që jepen pas tij: çdo i pamend bie në kurth të tij.

8Lum pasaniku që është i patëmetë, që s’jepet pas arit e që s’e vë shpresën në pare e në visare.

9Kush është ky se duam ta lavdërojmë! Sepse ka bërë vepra të mrekullueshme në popullin e vet.

10Kush qe sprovuar në të e mbeti i përsosur? Lavdia e tij do të jetë e përhershme. Ai që mundi të mëkatojë e nuk mëkatoi, të bëjë të keqen e nuk e bëri?

11Ai i ka të sigurta të mirat e veta në Zotin dhe lëmoshat e tija do t’i tregojë mbarë bashkësia e shenjtërve.

Gostitë

12Përkorja. U ule në sofër të begatshme? Mos e hap grykën tënde më i pari.

13Mos thuaj: “Se çmbushulli në tryezë!”

14Të bjerë ndër mend se është e keqe e madhe syri i uritur: në iri e ka Zoti syrin e uritur.

15Çka ka qenë krijuar më e keqe se syri? Së këndejmi edhe loton në çdo rrethanë.

16Ku shikon tjetri mos e shtrij i pari dorën, që i përlyer me lakmim të mos turpërohesh

17e të mos ndeshesh me të në pjatë.

18Gjykoji kërkesat e të tjerëve sipas të tuave dhe ji i vëmendshëm në çdo veprim.

19Ha me njerëzi çka të jetë vënë përpara dhe mos ji grykës e të bëhesh për gjithkënd i neveritshëm.

20Për hir të njerëzisë lëre i pari e mos tepro me të ngrënë, që të mos japësh shkandull.

21Nëse rri mes shumë të ftuarve, mos e shtrij dorën para tyre dhe mos kërko i pari të pish.

22Pak verë është e mjaftueshme për njeriun e edukuar! Do të flesh pa veshtirësi e s’do të kesh dhimbje.

23Grykësi s’mund të flejë ka heqje barku e dhimbje;

24gjumë të shëndetshëm ka njeriu i përkorë: fle deri në mëngjes dhe shpirti i tij zgjohet i kënaqur, plot shëndet.

25Por, nëse tu desh të hash për së tepërmi, çohu e vill e do të ndjehesh më mirë dhe s’do ti shkaktosh trupit sëmundjen.

26Më dëgjo, bir, e mos ma përbuz mësimin, e një ditë do t’i kuptosh fjalët e mia.

27Në të gjitha veprat e tua ji i matur dhe s’do të të gjejë asnjë sëmundje.

28Buzët e shumëkujt e lëvdojnë bujarin në pritje dhe e përhershme mbetet dëshmia e bujarisë së tij,

29kurse koprracin në pritje e qorton mbarë qyteti dhe sharrohet zëri i koprracin së tij.

Vera

30Verës mos i shit trimëri, sepse shumë i ka humbur vera.

31Furra e sprovon brumin e çelikut: kështu edhe vera zemrat e krenarëve në grindje.

32Vera është jetë për njeriun nëse e pi me përkore.

33Çfarë jete ka ai që se përdor verën?

34Çka e dëmton jetën? Vdekja.

35Vera qe krijuar për të gëzuar zemrën e jo për tu dehur, kurrsesi.

36Galdim për shpirt, gëzim e kënaqje e zemrës vera e pirë me masë e me kohë:

37pija me përkore është shëndeti i shpirtit e i trupit.

38Vera e pirë për së tepërmi sjell shqetësim, hidhërim e rrënime të mëdha.

39Hidhërim zemre vera e pirë për së tepërmi me shqetësime e me rrënime.

40Dehja e shton frymën e të pamendit për të fyer, dobëson fuqinë e sjell plagë.

41Në pirje mos e prek të afërmin dhe mos e përbuz kur është qefli,

42mos i thuaj fjalë të rëndë as mos i kërko të të kthejë detyrimet.