Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 32

Gostitë, Druajtja e Zotit

27 vargje

Gostitë

1Të kanë vënë prijës të tryezës? Mos u kreno, sillu ndër ta si çdokush prej tyre.

2Kujdesu njëherë për ta e atëherë ulu. Pasi ti kesh kryer të gjitha detyrat e tua, ulu

3që të gëzohesh për shkak të tyre e ta marrësh kezën për arsye të mirësjelljes e ta fitosh çmimin e të bashkëftuarve.

4Fol, plak, se të ka hije,

5fjala e parë me urti të peshuar, por mos e pengo muzikën.

6Në gosti mos u zbraz në bisedë e në kohë të papërshtatshme mos u hap në urti.

7Vulë guri të paçmueshëm në unazë ari është koncerti i muzikës në gosti me verë;

8çka është shenja e smeraldit në një stoli ari është muzika e shijshme në gosti të gëzueshme e të matur vere.

9Dëgjo në heshtje e, pse i nderon të tjetët, do të gjesh nderim edhe për vete.

10Fol, djalosh, vetëm për çështjen tënde,

11por vetëm nëse dy herë pyetesh.

12Fol shkurtimisht, e thuaj me pak fjalë shumë, sillu si ai që di e hesht.

13Kur të jesh me bujarë, mos u barazo me ta, e, ku janë pleqtë, mos fol shumë.

14Para gjëmës së motit vjen vetëtima, para budallallëk vjen hiri i sjelljes.

15Në kohë të të ngriturit çohu e mos rri i fundit, mësyj shtëpinë e mos u vono, aty bëj ç’dëshiron e luaj,

16bëj çka të pëlqen e mos mëkato me fjalë krenarie.

17Përmbi të gjitha bekoje Zotin që të krijoi e që të mbushi me të gjitha të mirat e veta.

Druajtja e Zotit

18Kush e druan Zotin e pranon mësimin, ata që e kërkojnë, e gjejnë bekimin.

19Kush e kërkon Ligjin do të shpërblehet prej tij, por shtiracaku do të shkandullohet në të.

20Kush e druan Zotin, do ta gjejë drejtësinë, veprat e tija të mira do të ndriçojnë si drita.

21Njeriu mëkatar se pranon qortimin dhe gjen përligjime sipas hamendjes së vet.

22Njeriu i arsyeshëm se përbuz qortimin me vend, i mbrapshti e krenari sndjen asnjëlloj frike.

24Bir, mos bëj asgjë pa e menduar mirë përpara e s’do të pendohesh më vonë.

25Mos ec udhëve të rrezikshme që të mos marrësh në thua në gurë. Mos i beso udhës së panjohur, që të mos i vësh lak jetës sate.

26Ruaju edhe prej fëmijëve të tu, ki kujdes edhe prej shtëpiakëve të tu.

27Në çdo veprim tënd ki besim në shpirtin tënd: sepse edhe kjo është mbajtje e urdhërimeve të Zotit.

28Kush i beson Ligjit, i mban urdhërimet dhe kush ka besim në Zotin, s’do të pësojë dëm.