Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 33

Pabarazia, Pavarësia, etj.

33 vargje

1Kush e druan Zotin nuk e gjen asnjë e keqe dhe Hyji e shpëton nga prova dhe e çliron nga të këqijat.

2I urti nuk i përbuz urdhërimet as drejtësinë e nuk përplaset si anija në stuhi.

3Njeriu i mençur i beson fjalës së Hyjit dhe i beson Ligjit porsi profecisë.

4Bëje gati fjalimin e do të dëgjohesh, përmblidhe dijen tënde e atëherë përgjigju.

5Ndjenjat e të marrit porsi rrota e qerres, arsyetimi i tij si boshti që sillet.

6Kalë i patredhur është miku përqeshës: hingëllon kushdo t’i kërcejë në shpinë.

Pabarazia

7Pse një ditë është më e shquar se tjetra në qoftë se gjatë vitit i ndriçon drita e diellit?

8Dija e Zotit i ka veçuar disa

9dhe i ka ndarë stinët e vitit e festat.

10Disa Hyji i ka lartësuar e madhëruar e të tjerat i ka renditur në ditë të thjeshta. Të gjithë njerëzit janë prej dheut, edhe Adami qe krijuar prej dheut.

11Por Zoti i ka dalluar në dijen e vet të pakufi, u ka caktuar fate të ndryshme:

12disa prej tyre i bekoi e i lartësoi, disa i shenjtëroi dhe i veçoi për vete, disa të tjerë i mallkoi dhe i mposhti dhe i dëboi nga vendi i tyre.

13Siç është balta në duart e vorbëtarit të cilës i jep trajtën sipas vullnetit të vet,

14ashtu është edhe njeriu në dorën e Krijuesit: bën me të sipas mendimit të vet.

15Përballë të keqes qëndron e mira e përballë vdekjes është jeta kështu edhe përballë njeriut të drejtë mëkatari. Kështu shikoj edhe të gjitha veprat e Zotit: të gjitha dy e dy njëra përballë tjetrës.

16Unë u zgjova ndër të fundit dhe jam si ai që mbledh kokrra pas vjelësve,

17por ia dola, me bekimin e Hyjit, dhe e mbusha shtrydhësin barazi si vjelësit.

18Vëni re se s’u mundova vetëm për vete, por për të gjithë ata që e kërkojnë mësimin.

19Deh, më dëgjoni, o sunduesit e popullit, vëni vesh, o drejtuesit e bashkësisë!

Pavarësia

20Sa të jesh gjallë mos i jep pushtet mbi vete as djalit as gruas, as vëllait as mikut; as mos e jep pasurinë tënde që të mos pendohesh e ta kërkosh të kthehet mbrapsht.

21Deri sa të jesh gjallë e të marrësh frymë, mos i jep askujt pushtet mbi vetvete:

22është më mirë që fëmijët të luten ty se ti t’u shtrish dorën fëmijëve të tu.

23Në të gjitha veprat e tua ji zot i vetes

24e mos lejo të njolloset me asnjë njollë nderi yt. Kur të jenë duke marrë fund ditët e jetës sate, ditën e vdekjes sate ndaje trashëgimin tënd.

Skllevërit

25Tagji, dajak e barrë për gomarin, bukë, shtrëngim e punë për skllavin.

26Fute shërbëtorin në punë e ti pusho; pushoja krahët atij e do të kërkojë lirinë.

27Zgjedha e freri e ulin qafën, kurse skllavin e përvë puna e vazhdueshme.

28Skllavit të padëgjueshëm dru e pranga, çoje në punë e të mos dembeloset:

29shumë mbrapshti i mësoi përtacia.

30Fute në punë, sepse kështu atij i ka hije, nëse nuk dëgjon, shtroje në pranga, por pa tepruar kundër askujt dhe mos bëj asgjë padrejtësisht.

31S’ke por një skllav? Le të jetë si një tjetër ti, sepse do të kesh nevojë për të si për vete. S’ke veç një skllav? Sillu me të si me vëllanë, e mos u hidhëro në gjakun tënd.

32Nëse e lëndon pa të drejtë, e bën të marrë ikjen

33e, nëse ngrihet e ikën, s’do të dish cilës udhë të shkosh për ta kërkuar.