Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 4

Urtia edukatore, Turpi dhe respekti njerëzor

36 vargje

1Bir, mos ia moho lëmoshën skamnorit dhe sytë e tu mos ik nga i vobekti.

2Mos e trishto atë që ka uri dhe mos e ngacmo skamnorin në skamjen e tij.

3Mos e mundo zemrën e skamnorit, mos vono t’ia japësh ndihmën atij që është ngusht.

4Mos e përbuz lutjen e nevojtarit, e mos e largo fytyrën prej skamnorit.

5Mos i largo sytë e tu prej skamnorit për shkak të hidhërimit, mos i lër vend të mallkojë përmbas,

6sepse në të mallkoftë ndokush me shpirt të helmuar, lutja e tij do të dëgjohet: do ta dëgjojë Ai që e ka krijuar.

7Bëju të duhesh prej bashkësisë, para plakut përule vetveten e para sundimtarit përule kokën tënde.

8Prirja skamnorit veshin tënd pa u trishtuar, ktheja përshëndetjen që ia ke për detyrë dhe u përgjigj me fjalë të mira e me butësi.

9Shpëtoje prej kthetrave të ndrydhësit atë që pëson padrejtësi e mos ji kukulosh kur të gjykosh.

10Ji për jetimë i mëshirshëm si babë dhe ji mbrojtës për nënën e tyre,

11e do të jesh porsi biri i të Tejetlartit i dëgjueshëm, dhe Ai do të ketë mëshirë për ty më tepër se nëna.

Urtia edukatore

12Urtia bijve të vet u dha jetën dhe i kujdeson ata që e kërkojnë.

13Kush e do atë, e do jetën, ata që çohen heret për të do të mbushen me paqe prej Zotit.

14Kush e bën të veten atë, do të trashëgojë nderin e, ngado të shkojë, Zoti do ta bekojë.

15Ata që i shërbejnë, nderojnë Shenjtin, e ata që e duan atë, Hyji do t’i dojë.

16Kush e dëgjon atë do ti gjykojë popujt e kush ia vë veshin asaj, do të jetë i sigurt.

17Kush i beson asaj, do ta ketë pronë e do të mbetet pronë e breznive të tija.

18Sepse bën sikur ecën me të e në fillim e vë në provë,

19i shtie frikë e tmerr dhe e vë në provë me mësimin e vet deri sa ai e bën të veten me mendimin e vet e pastaj ia arrin të ketë besim në shpirtin e tij.

20Atëherë vjen drejt tij dhe e përforcon dhe i jep gëzim

21e ia zbulon fshehtësitë e veta, grumbullon mbi të urtinë e dijen e drejtësisë.

22Nëse e lë rrugën edhe ajo heq dorë prej tij dhe e lëshon në dorë të armikut të vet.

Turpi dhe respekti njerëzor

23Bir, kujdes rrethanave e ruaju prej së keqes,

24e mos të vijë turp për vetveten.

25Sepse ka turp që sjell mëkat e ka edhe turp që sjell nder e hir.

26Mos i mbaj kujt krah kundër vetvetes as mos prano gënjeshtër kundër vetvetes.

27Mos e mbulo me turp të afërmin në rënien e tij

28as mos e ndal fjalën në rastin e duhur: mos e fsheh urtinë tënde për nder të rremë.

29Sepse me anë të fjalës njihet urtia e në përgjigje të gjuhës dija.

30Në asnjë mënyrë mos i kundërshto fjalës së vërtetë, por të vijë turp për padijen tënde.

31Mos të vijë turp ti pranosh fajet e tua dhe askujt mos iu nënshtro për të mëkatuar.

32Mos shiko ti qëndrosh pushtetmadhit e mos u mundo të notosh kundër rrjedhës së lumit.

33Deri në vdekje lufto për të vërtetën dhe Hyji do të luftojë për ty kundër armiqve të tu.

34Mos ji fjalëmadh me gjuhën tënde e frikacak e i mefshtë në veprim.

35Mos ji luan në shtëpinë tënde përplasës i shtëpiakëve të tu e ndrydhës i të nënshtruarve të tu.

36Të mos jetë dora jote e shtrirë për të marrë dhe e mbledhur për të dhuruar.