Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 5

Pasuria e guximi i pavend, Qëndresa e sundimi i vetvetes

17 vargje

Pasuria e guximi i pavend

1Mos u mbështet mbi pasurinë tënde e ruaj se thua: “Kam sa më duhet për jetë!”

2Mos e ndiq fuqinë tënde për të ecur në dëshirime të zemrës sate

3e ruaj se thua: “Çka ka kush të më bëjë?” ose: “Kush do të më nënshtrojë për çka kam bërë?”, sepse Hyji hakmarrës do të hakmerret!

4Ruaj se thua: “Kam mëkatuar, e çe keqe më ndodhi?”, sepse i Tejetlarti është kthyes i durueshëm.

5Për mëkatin e falur mos ji pa frikë dhe mos shto mëkat mbi mëkat

6e ruaj se thua: “Mëshira e Zotit është e madhe, do të ketë dhimbje për mëkatet e mia të shumta”;

7sepse mëshira dhe hidhërimi afrohen shpejt prej tij e mbi mëkatarë pushon hidhërimi i tij.

8Mos vono të kthehesh te Zoti dhe mos shtyj prej ditës në ditë.

9Sepse papritmas vjen zemërimi i tij e do të zhdukesh ditën e hakmarrjes.

10Mos u mbështet në pasurinë e padrejtë, sepse asgjë s’do të ndihmojë ditën e mjerimit.

Qëndresa e sundimi i vetvetes

11Mos u sill sipas secilës erë e mos ec secilit shteg: sepse kështu vihet në provë çdo mëkatar me gjuhë të dyfishtë.

12Të jesh i ngulur në mendimin tënd, por edhe mendimi yt të jetë në të vërtetë, në urti dhe do të përcjellë fjala e paqes dhe e drejtësisë.

13Ji i shpejtë për të dëgjuar fjalën që ta kuptosh e me ngadalësi ktheje përgjigjen.

14Nëse di, përgjigjiu të afërmit tënd, përndryshe, vërja dorën gojës sate që të mos dalësh i padijshëm e të turpërohesh.

15Fjala sjell nder e çnderim, gjuha e njeriut është rrënimi i tij.

16Mos bëj të meritosh të quhesh shpifës, kurrë me gjuhën tënde mos i mbet kujt në qafë!

17Turpi si hiqet kurrë vjedhësit, në shenjë për të keq mbahet njeriu dygjuhës, kurse shpifësit s’i ndahet kurrë urrejtja as armiqësia as çnderimi.