Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 40

Mjerimi i njeriut, Lypësia

32 vargje

Mjerimi i njeriut

1Fat i mjerë u qe krijuar të gjithë njerëzve, zgjedhë e rëndë mbi bijtë e Adamit, që ditën që lindin nga kraharori i nënës së tyre deri ditën që kthehen në nënën e të gjithëve:

2mendime shqetësuese e frikë e zemrës, kujdesi se ç’do t’u ndodhë: ditën e mbarimit.

3Nga ai që rri mbi ndenjëse lavdie deri tek ai që rri në pluhur e në hi,

4nga ai që mbart purpur e kurorë, deri tek ai që e mbulon mishin me li të vrazhdë, gjithçka është hidhërim, smirë, kryengritje e shqetësim, frika e vdekjes, zemërim i vazhdueshëm e grindje.

5Në kohën e pushimit në dhomë gjumi i natës vetëm ia turbullon mendimet.

6Pushon krejt pak, gati aspak, e ai në gjumë, mundohet si ditën,

7e trazojnë pamjet e zemrës së shqetësuar si të atij që porsa iku nga lufta, gjatë pushimit të domosdoshëm zgjohet krejtësisht i habitur prej frikës së kotë.

8Është fat i çdo gjallese, prej njeriut e në kafshë, kurse për mëkatarë shtatëfish më shumë:

9përveç këtyre edhe vdekja, gjaku, grindja, shpata, ndrydhja, uria, sëmundja e frushkujt.

10Këto të këqija kanë qenë krijuar për të paudhë, e për shkak të tyre qe bërë përmbytja.

11Gjithçka është nga dheu, në dhe do të kthehet, gjithçka është nga uji, në det do të kthehet. Thënie të ndryshme:

12Çdo dhuratë prishëse dhe çdo padrejtësi do të zhbëhet, kurse besnikëria do të qëndrojë për amshim.

13Pasuria e të padrejtëve do të thahet si përroi, do të zhduket porsi gjëma e madhe në shi.

14Kur e hap dorën e vet gëzohet, kështu mëkatarët plandosen në rrënimin e vet.

15Nipat e të paudhëve s’do ti shtrijnë gemat, rrënjët e papastra mbi rrasë të gjallë.

16Blerimi që rritet rrjedhave të ujit e bri lumit, kositet më i pari.

17Mirësia është si kopshti i bekimeve e veprat e dashurisë qëndrojnë për amshim.

18Njeriu që skërkon tepër e punëtori kalojnë jetë të ëmbël, por edhe më mirë ai që gjen ndonjë visar.

19Djemtë dhe themelimi i qytetit e sigurojnë emrin, por edhe më tepër do të nderohet gruaja e patëmetë.

20Vera e muzika zemrën e gëzojnë, por edhe më tepër dashuria ndaj urtisë.

21Fyelli e harpa e bëjnë të këndshme këngën, por edhe më tepër se ato zëri i ëmbël.

22Syri kënaqet në hirësi e bukuri, por edhe më tepër se në këto në blerimin e fushave.

23Shoku dhe miku takohen në kohë të duhur, por mbi të dy gruaja e burri.

24Vëllezërit dhe ndihma janë të mira në ditë të vështirë, por më tepër se këta shpëton lëmosha.

25Ari e argjendi e bëjnë të sigurt hapin, por më i mirë se të dy është këshilla e mirë.

26Pasuria e pushteti i japin fuqi zemrës, por më tepër se të dyja frika e Zotit.

27Nuk mungon gjë në frikën e Zotit e s’duhet të kërkohet përmbi të ndihmë.

28Frika e Zotit është si kopshti i bekimeve, mbrojtja e saj është më e fortë se çdo lavdi.

Lypësia

29Bir, gjatë jetës sate mos u bëj nevoja e gjithkujt, sepse është më e mirë vdekja se të jesh nevoja e gjithkujt.

30Jeta e njeriut që shikon në tryezën e huaj, nuk mund të quhet jetë. Bëhet i papastër me ushqime të huaja:

31njeriu i edukuar e i ditur e ruan vetveten.

32Në gojën e atij që s’ka turp fjalët e lypësisë dalin të ëmbla, por në barkun e tij zjarri ndizet flakë.