Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 42

Shqetësimet e babait për vajzë, Gratë, etj.

26 vargje

1Të vijë turp të shpërhapësh çka ke dëgjuar e të zbulosh lajmet e fshehta. Atëherë me të vërtetë do të jesh i turpshëm e do të gjesh hir para të gjithë njerëzve. Por për këto gjëra ruaj se të vjen turp, mos mëkato për shkak të turpit të shekullit:

2mos të vijë turp për Ligjin e të Tejetlartit e të Besëlidhjes, për vendim gjykatës që i jep të drejtën edhe të paudhit,

3për llogari të pastër me shokë e me bashkudhëtarë, të ndash trashëgimin me të tjerë,

4për peshore e pesha të sakta, për fitesë të shumë ose të pak gjërave,

5për çmim të blerjes me tregtarë, për qortim të shpeshtë të fëmijëve, për përgjakje të ijeve të skllavit përtac.

6Kur gruaja është kureshtare, e mirë është vula.

7Ku ka duar shumë, vëri çelësin, e, çkado që të japësh, numëroje e peshoje: të dhënat e të marrat shënoji.

8Mos të vijë turp ta qortosh të pamendin e të marrin edhe plakun që e ka lënë mendja pas fëlligështisë. Kështu do të jesh vërtet i edukuar dhe i miratuar prej të gjithë të gjallëve.

Shqetësimet e babait për vajzë

9Vajza për babain është shkak pagjumësie, kujdesi i saj gjumin ia humb: sa është e re a do t’i dalë fati, e kur e marton, a mos do ta përbuzë burri,

10a mos i çnderohet në vajzërinë e saj e i mbetet shtatzënë në shtëpinë e babait; po edhe në shtëpinë e burrit të mos bëhet lavire, po edhe me burrë të mos mbetë beronjë.

11Nëse e ka vajzën të padëgjueshme, shtoje rojën që të mos të bëjë përqeshje të armiqve, përrallë të qytetit e përbuzje të popullit e të të bëjë të humbasësh nderin para të gjithëve.

Gratë

12Mos t’ia qesë në treg gjithkujt bukurinë e vet vajza jote dhe të mos rrijë shpesh për të biseduar me gra,

13sepse nga petku del tenja e nga gratë e keqja e gruas.

14Më mirë e keqja e burrit se mirësia e gruas: prej gruas rrjedh turpi e çnderimi.

II. LAVDIA E HYJIT

1. NË NATYRË

15Tanipo i përkujtoj veprat e Zotit e do të tregoj çka vetë kam parë: me Fjalën e vet Zoti i ka krijuar veprat e veta dhe mbarë krijesa i nënshtrohet gjyqit të tij.

16Dielli me dritën e vet ndriçon gjithçka dhe me lavdinë e Zotit plot është vepra e tij.

17Shenjtërit e Zotit nuk janë në gjendje t’i tregojnë të gjitha mrekullitë e tija. Zoti u ka dhënë fuqi ushtrive të veta të qëndrojnë përpara lavdisë së tij.

18Ai e shqyrton humnerën e zemrën e njerëzve dhe depërton në synimet e tyre të fshehta.

19Sepse Zoti njeh çdo dije, i vëren hollë të gjitha shenjat e kohës, lajmëron ç’kaloi e gjithçka do të ndodhë dhe i zbulon gjurmët e gjërave të fshehura.

20S’ka mendim që Atij mund ti ikë, asnjë fjalë prej Tij nuk mund të fshihet.

21Rregulluar i ka veprat e madhërishme të vetat, është i Vetmi para shekujsh, e në amshim; asgjë s’mund ti shtohet

22as s’mund ti mungohet, asnjë nevoje nuk ka për asnjëlloj këshille.

23Oh, sa të dëshirueshme janë veprat e tija! E është vetëm sa një shkëndijë çka shihet!

24Gjithçka jeton e qëndron në amshim e në çdo nevojë të gjitha E dëgjojnë.

25Të gjitha janë nga dy: njëra kundrejt tjetrës, asgjë nuk ka krijuar të gjymtë.

26Njëra e përforcon të mirën e tjetrës. Kush mund të ngihet me shikimin e lavdisë së tij?