Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 43

Dielli, Hëna, etj.

36 vargje

Dielli

1Madhështia e lartësive - kupa qiellore e kthjellët, bukuria qiellore në pamje lavdie!

2Dielli ndërsa len shpall duke lindur: “Çgjë e mrekullueshme është vepra e të Tejetlartit”!

3Në mesditë tokën e përvëlon, kush mund t’i bëjë ballë vapës së tij?! Furrën për ta ndezur trefish duhet fryrë,

4kurse dielli djeg malet, avull të flaktë buçet, me rrezet e veta sytë i verbon.

5I madh është Zoti që e përftoi dhe që i urdhëron hapat ti shpejtojë.

Hëna

6Po ashtu edhe hëna se shmang kohën e vet, e tregon kohën, shenjë e përhershme.

7Hëna të kremtet i tregon, dritëdhënëse që zvogëlohet deri në zhdukje.

8Nga ajo muaji emrin e merr, duke u rritur mrekullisht për t’u zhdukur.

9Flamur i ushtrive qiellore, që shndrit një bukuri në kupën qiellore.

Yjet

10Vezullimi i yjeve bukuria e qiellit, stoli e shkëlqyeshme në lartësitë e Zotit.

11Në fjalën e Shenjtit qëndrojnë sipas urdhrit dhe kurrë s’i shmangen rojës së tij.

Ylberi

12Shiko ylberin e beko atë që e krijoi, është pa masë i bukur në shkëlqimin e tij.

13E rrethon qiellin me harkun e vet, duart e të Tejetlartit e ngritën atë!

Mrekullitë e natyrës

14Në urdhrin e Tij bora bie, i shpejton vetëtimat zbatuese të gjyqit të vet.

15I hap visaret e veta e retë fluturojnë si shpendët.

16Me fuqinë e vet i dend retë dhe grimcohen kokrrat e breshrit. Zëri i bubullimës së Tij tokën e dridh,

17përpara Tij tunden malet. Ai urdhëron e fryn era e jugut,

18stuhia e veriut dhe vrulli i erërave.

19Bën të bjerë dëbora si zogjtë kur ulen, rënia e saj është sikur ulen karkalecat:

20syri mrekullohet në bukurinë e bardhësisë së saj, reshja e saj mallëngjen shpirtin.

21Porsi kripë mbi tokë e derdh brymën, që, kur ngrihet, bëhet si majë ferre.

22Kur fryn veriu i cemtë, atëherë akull ngrihet uji, pushon mbi çdo ujë të amullt: atëherë uji me pancir veshet.

23I përpin malet e i djeg shkretëtirat, djeg gjelbërimin porsi zjarri.

24Porse retë shpejt gjithçka shërojnë, bie vesa e freskon nga të nxehtit.

25Me mendjen e vet e qetëson humnerën dhe nëpër të i mbjell ishujt.

26Kush lundron deteve i tregon rreziqet e tija, duke i dëgjuar me veshët tanë, çuditemi.

27Edhe atje ka gjëra të çuditshme e të mrekullueshme, kafshë gjinish të ndryshme e përbindësh deti.

28Në saje të tij lajmëtari mbarë udhëton, gjithçka zbatohet sipas urdhrit të tij.

29Sado të shtonim, mangut do ta linim, me një fjalë të vetme: “Ai është gjithçka!”

30Ku ta gjejmë forcën Atë ta lavdërojmë? Sepse Ai është i Madhi, mbi të gjitha veprat e veta!

31I tmerrshëm është Hyji, pa masë i Madh, e mrekullueshme është Gjithpushtetësia e tij!

32Lavdërojeni Zotin lart e më lart, gjithë sa të keni fuqi, gjithnjë do të jetë më i madhërishëm, më e mrekullueshme madhëria e tij!

34Për ta lavdëruar jepini me gjithë fuqi: mos meni se kurrë s’do t’ia dilni në skaj.

35Kush e ka parë që ta përshkruajë? Kush mund ta madhërojë ashtu si Ai është?

36Shumë ka fshehtësi më të mëdha se këto, sepse ne pamë vetëm disa prej veprave të tija.

37Të gjitha janë të krijuara prej Zotit që njerëzve të përshpirtshëm u ka dhuruar urtinë.