Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 45

Aroni, Fineesi

31 vargje

1të dashur prej Hyjit e prej njerëzve, Moisiun, kujtimi i të cilit është në bekim.

2I dhuroi lavdinë sikurse edhe shenjtërve, e bëri të madhërishëm, tmerr për armiqtë. Në fjalët e tija i shpejtoi mrekullitë.

3E bëri të lavdishëm në sytë e mbretërve, i dha urdhërimet për popullin e vet dhe ia dëftoi lavdinë e vet.

4Në saje të besnikërisë dhe të butësisë së tij, e shenjtëroi dhe e zgjodhi në mes të gjithë njerëzve.

5Ia mundësoi ta dëgjojë zërin e tij dhe e futi në re;

6personalisht ia dha urdhërimet, Ligjin e jetës e të dijes, për t’ia mësuar Jakobit Besëlidhjen e vet e Izraelit urdhrat e vet.

Aroni

7Ai e ngriti Aronin, e shenjtëroi porsi atë, që ishte vëllai i tij nga fisi i Levit.

8Lidhi me të një Besëlidhje të amshueshme dhe ia dhuroi priftërinë e popullit, e bëri të lum me lavdi,

9e ngjeshi me brez të lavdishëm e veshi me petk stolie të përsosur, e kurorëzoi me shenja fuqie:

10të linjtat, linjën e shpinorin ia veshi, rreth e rreth i vuri zile tingëlluese ari, gjithkund përreth me shega të shumta,

11që të tingëllojnë ndërsa ai të ecë e të ndihet tingëllima në Tempull për t’i përkujtuar bijtë e popullit të vet.

12E stolisi me një petk të shenjtë, ari, vjollcë e purpurt, mjeshtrisht të qëndisur, me parzmoren e gjyqit edhe brezin,

13pëlhure liri të kuq bojëgjake mjeshtërisht të punuar, me vjerrësin me gurë të paçmueshëm, të rrethuar në ar, me mjeshtri të gdhendësit të gurit, në përkujtim me germa të zgavrruara sipas numrit të fiseve të Izraelit.

14Kezën ari përmbi kësulën e tij, të stolisur me pllaka - vula të shenjtërisë, stoli nderi, vepër mjeshtrie të pashoqe, kënaqësi e vërtetë për shikim, bukuri e përsosur.

15Kaq të bukura para tij nuk qenë askurrë,

16askurrë një i huaj të tilla s’do ti veshë, por vetëm bijtë e tij dhe nipat e tij brez pas brezi.

17Flia e tij digjet krejtësisht me zjarr dy herë në ditë, vazhdimisht.

18Moisiu atë e shuguroi dhe e leu me vaj të shenjtë.

19Kjo qe për të Besëlidhje e përhershme e për farën e tij deri sa të jetë qielli: të kryesojë shërbesën e të ushtrojë priftërinë dhe ta bekojë popullin e vet në emër të Zotit.

20E zgjodhi në mes të gjithë të gjallëve t’i kushtojë Hyjit fli, kem e dhjamë, t’i përftojë erë të këndshme si përkujtim dhe të kryejë shpërblim për popullin e vet.

21Ia besoi urdhërimet e veta, pushtetin mbi përcaktimet e Ligjit: t’ia mësojë Jakobit urdhëresat e tija e ta ndriçojë Izraelin në Ligjin e tij.

22Kundër tij u ngritën disa jo të barkut të tij dhe këta njerëz nga smira e rrethuan në shkretëtirë, njerëzit e Datanit, e të Abiramit dhe turma e Koreut, të zemëruar plot hidhërim,

23Pa Zoti Hyj dhe nuk i pëlqeu dhe u zhdukën në sulmin e zemërimit të tij.

24Bëri një emnesë mbi ta dhe i zhduku me flakën e zjarrit.

25E ia shtoi nderin Aronit, i dhuroi trashëgim, për të i ndau frytet e para të tokës.

26Më së pari bukë i dha me mbushulli, madje i hanë edhe flitë e Zotit, ato që Ai ia dhuroi atij e farës së tij.

27Megjithatë në tokën e popullit pronë nuk ka dhe ai pjesë nuk ka në popull: sepse Zoti është pjesa dhe trashëgimi i tij.

Fineesi

28Fineesi, djali i Eleazarit, është i treti për lavdi, për zellin e tij ndaj frikës së Zotit,

29sepse qëndroi si burrat kur populli u çua kundër, ndërhyri me guxim e trimëri e kështu e pajtoi Izraelin me Hyjin.

30Kështu edhe u bë me të një Besëlidhje paqeje, që të jetë prijësi i shenjtërores e i popullit të vet, që t’i takojë atij dhe farës së tij, denjësia e priftërisë për amshim.

31Bëri Besëlidhje edhe me mbretin David, të birin e Jeseut, nga fisi i Judës, por trashëgimi mbretëror nga babai i takon vetëm njërit djalë, kurse trashëgimi i Aronit u takon të gjithë pasardhësve të tij. Zoti e ndikoftë në zemrën tuaj urtinë që ta gjykoni popullin e tij me drejtësi, që të mos humbin të mirat e të parëve e nderi i tyre të vazhdojë në brezni të amshueshme.