Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 49

Jozia, Mbretërit e profetët e fundit, etj.

19 vargje

Jozia

1Kujtimi i Jozisë është si era e mirë e përzier me mjeshtri të erëpërftuesit;

2në gojë të secilit është i ëmbël si mjalti, si muzika në një banket me verë.

3Ai qe, hyjnisht, drejtuar për ta kthyer popullin, i zhduku turpësitë e paudhësisë,

4e drejtoi zemrën e vet tek Zoti dhe në kohë të patenzonë e përforcoi përshpirtërinë.

Mbretërit e profetët e fundit

5Me përjashtim të Davidit, Ezekisë e të Jozisë, të gjithë u ngarkuan me mëkate,

6pasi mbretërit e Judës e lanë Ligjin e të Tejetlartit, e përbuzën frikën e Hyjit,

7mbretërinë e vet ua dhanë të tjerëve dhe lavdinë e vet një kombi të huaj.

8E dogjën qytetin e zgjedhur të Shenjtërores dhe ia shkretuan rrugët e tija sipas fjalës së Jeremisë.

9Sepse e morën me të keq atë që ishte që në kraharorin e nënës i shuguruar profet për të shkatërruar, për të rrënuar e për të vrarë, e përsëri për të ndërtuar, mbjellë e përtërirë.

10Ezekieli pati një vegim të Lavdisë që Hyji ia dëftoi mbi karrocë kerubinësh.

11Sepse i ranë ndër mend armiqtë në stuhi dhe u bëri mirë atyre që mësonin udhët e drejta.

12E sa për dymbëdhjetë profetët: eshtrat e tyre lulëzofshin nga varri, sepse ata e ngushëlluan Jakobin, e shpërblyen me fe të fuqishme.

Zorobabeli e Jozuehu

13Si ta madhërojmë Zorobabelin? Po, ai është si vula në dorën e djathtë!

14I tillë qe edhe Jozuehu, i biri i Jozedekut. Këta, në ditët e tyre e ndërtuan Shtëpinë dhe e lartësuan Tempullin e shenjtë të Zotit, të caktuar për lavdi të përhershme.

Nehemia

15S’do të harrohet për kohë të shumtë Nehemia që na i ndreqi muret e rrënuara, që i ripunoi dyer e shula e i ndreqi banesat tona.

Vështrim i shkurtër

16Askush s’qe krijuar mbi tokë si Henoku; sepse ai qe rrëmbyer nga toka.

17Po as si Jozefi një tjetër njeri slindi, krye i vëllezërve, mbështetja e popullit.

18Deri edhe eshtrat e tij qenë veçanërisht nderuar edhe pas vdekjes bënë mrekulli.

19Seti e Semi qenë nderuar prej njerëzve, por Adami është mbi të gjitha gjallesat e krijuara.